Deputeti i zgjedhur nga komuniteti egjiptian i Kosovës, Veton Berisha, ka thënë se do ta votojë një qeveri të re nga Kurti.
Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Berisha tha se nuk e ka qëllim të bëhet ministër, por tha se dëshiron që ta japë votën e tij për një qeveri të re të krijuar nga Albin Kurti.
“I kam ofruar zotit kryeministër mandatin tim, jemi duke biseduar për këtë çështje. Jam i gatshëm të jap kontribut maksimal që institucionet të ndërtohen sa më shpejt, i kam ofruar votën time. Në çfarëdo situate nuk do të jem bllokues, por normalisht se do të kërkoj përgjegjësi dhe implementimin e programit i cili është një program që rregullon jetën e komunitetit”.
Por, ai tha se nuk i përjashton edhe partitë tjera, në rast se Kurti nuk arrin të formojë qeveri.
“Të njëjtat kërkesa do t’i kem për mandatarin që vjen me radhë, sipas Kushtetutës, dhe normalisht se nuk do të ndalem së kërkuari të mira për komunitetin egjiptian”, theksoi deputeti i zgjedhur Berisha.
Ai tha se me Kurtin ka bisedime të shëndosha dhe tha se shpreson të mos ketë ndërhyrje sikurse të sotmet. “Besoj që edhe Kurti të mos bie në këto ndërhyrje. Nuk më ka bërë të ndihem mirë, sepse ka qenë një përgjigje e zotit Kurti, dhe kjo pas një diskutimi që kemi pasur në mëngjes, dhe pas atij komunikimi që është parë në media, duket me qenë i ndikuar”, deklaroi Berisha.