Kryetari i komunës së Fushë Kosovës Burim Berisha, ka komentuar masat e reja anti-COVID të paralajmëruara nga Qeveria e Kosovës.
Berisha tha se numri i të infektuarve në Fushë Kosovë është goxha i madh, duke e kaluar shifrën e 50 përqindëshit.
Por ai tha se gjendja është e menaxhueshme.
Ai në një intervistë për Klan Kosova tha se duhet të respektohen masat e marra nga ana e ekzekutivit.
“Shtrirja e epidemisë në komunën tonë është e theksuar. Krahasuar me testet është mbi 50 përqind, kemi edhe disa vdekje kohëve të fundit. Dhe ndoshta do të ishte mirë që për një kohë të respektohet kjo masë, derisa të kalojë kjo valë e fuqishme. Ne megjithatë do t’i respektojmë institucionet dhe vendimet që i kanë marrë’.
“Po shihet që epidemia e COVID-it është përhapur shumë. Njëra nga komunat e goditura fuqishëm është edhe komuna e Fushë Kosovës. Ne e pranojmë se kemi shumë njerëz të prekur me këtë infeksion, Sido që të jetë kjo gjendje edhe më tutje është e menaxhueshme. QKMF-ja është e menaxhueshme, policia, inspektorati”.
Kreu i Fushë Kosovës shtoi se po bëhet përpjekje që të ruhet funksionimi i arsimit brenda kësaj komune.
Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës të iu del në ndihmë sektorit të gastronomisë.
“Ne e kuptojmë që qeveria është në hall. E kuptojmë që edhe populli është në hall edhe institucionet e tjera janë në hall siç është komuna. Kjo gjendje mund të përballohet me masa, me kujdes dhe bashkarisht. Këtu duhet të jemi së bashku që të gjithë, duke filluar nga Kuvendi i Kosovës. Nuk po e bën punën e vet që duhet me bë dhe barra tani ka rënë në komuna”.
“Ne jemi të gatshëm që të punojmë deri në fund, që arsimin ta ruajmë në rend të parë, që sa më pak shkolla ti kemi të mbyllura, dhe ata nxënës që i kemi ti mënjanojmë, të vazhdojmë këtë gjysmëvjetor mundësisht ta vazhdojmë në shkolla, që do të ishte një e mirë shumë e madhe për nxënësit, për prindërit dhe për të gjithë ambientin psikologjik”.
“E pastaj pjesa tjetër, pjesa e ekonomisë është ajo pjesa më delikate tani. Natyrisht që edhe kjo pjesa e gastronomisë është shumë e goditur këtu tek ne, dhe është mirë që qeveria ta subvencionojë këtë pjesë”.
“Do të ishte mirë që masat të balancohen me masat e ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë, shëndetit publik. Neve na mbetet që ti ftojmë qytetarët tanë, të ftojmë të gjithë që të kenë kujdes, të përpiqen që të ruajnë njëri-tjetrin të ruajnë familjet e tyre”.
“Ne do të provojmë maksimalisht që institucionet në komunën e Fushë Kosovës të jenë të hapura, ose të jenë të hapura konform nevojave të qytetarëve dhe masave që janë përcaktuar”.
Fushë Kosova gjendet në mesin e 10-të komunave që gjendet në vijen e kuqe të numrit të rasteve të infektuara me COVID-19.
Sipas masave të paralajmëruara vendet që gjenden në vijën e kuqe do të vendosen në karantinë, dhe do të ketë kufizim të lirisë së lëvizjes nga ora 19:00 e deri në 05:00 të mëngjesit.