Njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa urgjente për të kontrolluar rritjen e çmimeve dhe të krijojë politika që do të frenonin këtë tendencë shqetësuese.
Bellaqa deklaroi për “Front Online” se Inspektorati i Tregut duhet të dalë në terren dhe të monitorojë më ngushtë aktivitetet e bizneseve, veçanërisht gjatë periudhës së festave.
“Duhet të merren masa nga Qeveria dhe të ketë politika të çmimeve që të frenohen ato. Inspektorati i tregut duhet të dal në teren dhe t’i monitorojë bizneset”, shprehet Bellaqa.
Ai e cilësoi si të papranueshme dhe jo etike ngritjen e çmimeve nga bizneset vetëm për shkak të fluksit të vizitorëve, duke theksuar se kjo sjellje është e dëmshme për konsumatorët.
“Është jo etike nga bizneset që për festa dhe ardhjen e diasporës t’i rrisin çmimet”, deklaroi ai.
Sipas Bellaqës, shteti duhet të marrë masa për të menaxhuar situatën dhe të parandaluar praktikat e abuzimit nga bizneset, të cilat shpesh vendosin çmime të ndryshme për të njëjtin produkt ose krijojnë monopole të fshehura.
“Shteti duhet të menaxhoj situatën se shumë biznese për të njëjtin produkt i kanë çmimet e ndryshme ose ka monopol të fshehur. Kosova i ka çmimet më të larta edhe se në perëndim kjo është e papërballueshme për qytetarët e Kosovës”, përfundoi Bellaqa.
Rriten çmimet e artikujve në prag të festave, kërkohet aktivizim i Inspektoratit të Tregut