Kujtesa historike nuk është vetëm detyrë, por obligim madhor për të gjithë brezat e shqiptarëve, në mënyrë që të nxjerrim mësim nga e kaluara për ta përballuar dhe ndërtuar më lehtë dhe më me sukses të ardhmen tonë.
Kështu u tha në një program artistik në përmbyllje të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, me rastin e 23-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij.
Për shkak të gjendjes me pandeminë COVID-19, ky aktivitet është mbajtur pa praninë e publikut, duke respektuar kështu masat e institucioneve shëndetësore vendore.
Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari tha se ishte kënga ajo që mbajti gjallë frymën tonë patriotike, shpresën për liri dhe pavarësi dhe ishte zëri i protestës që trokiste në ndërgjegjen e ndërkombëtarëve për ndërhyrje në ndaljen e gjenocidit serb në Kosovë.
Jashari: Vetëm të bashkuar jetësojmë amanetin e dëshmorëve
“22 vjet pas çlirimit të vendit, falënderoj të gjithë këngëtarët tonë që i kënduan UÇK-së, luftës heroike që zhvillohej nga të moshuarit e deri te fëmijët. Ata që i kënduan lirisë dhe ata që mbajtën gjallë shpresën se liria po vjen. Ju që nuk u ndalët asnjëherë në nderim të jetë dhe veprës heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, dëshmorëve e martirëve dhe gjithë historisë sonë të lavdishme ju falënderoj nga zemra dhe ju bëj thirrje që të vazhdoni të jeni të bashkuar, sepse vetëm kështu mund të jetësojmë amanetin e dëshmorëve tonë. Lavdi, heronjve, dëshmorëve dhe të gjithë atyre që ranë për lirinë e vendit”, tha Jashari.
Një fjalë rasti ka mbajtur edhe ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj: Ta mbajmë të ndezur zjarrin për liri e për bashkim kombëtar
“Të gjithë ata që e ndjekin koncertin e sotëm në natën përmbyllëse në Natën e Zjarreve, kam nderin t’ju drejtohem nga këtu si bashkëluftëtar dikur, të shprehim respektin për sakrificën sublime për heroizmin e familjes Jashari, për simbolin tonë qëndresës e lirisë, e sonte në Natën e Zjarreve të premtojmë që do ta mbajmë të ndezur zjarrin për liri e për bashkim kombëtar. Lavdi heronjve”, tha Haradinaj.
Ndryshe, sonte në Prekaz është ndezur flakadani për Natën e Zjarreve dhe është mbajtur një koncert në nderim të 23-vjetorit të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, rënies së komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij në një luftë skajshmërish të pabarabartë.