×
  • Lajme
  • Lajme

    Behgjet Pacolli: Albin Kurti krijoi drama të panevojshme me dinarin serb, humbëse është veç Kosova

    Jehona Zhuniqi
    01 Mars 2024

    Të martën, çështja e dinarit ktheu në tryezën e dialogut Kosovën dhe Serbinë.

    Por, për dallim nga herët e tjera takimi nuk ndodhi as në nivel të lartë e as në nivel kryenegociatorësh.

    Delegacionin e Kosovës e udhëhoqi guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, derisa atë të Serbisë, kryenegociatori Petar Petkoviq, shkruan Front Online.

    Kjo, për shkak që zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit kryenegociator Besnik Bislimi ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj kërkesës së Brukselit për takim për çështjen e dinarit, me arsyetimin se kjo temë nuk është pjesë e dialogut.

    Lidhur me këtë për Front Online ka folur ish-ministri i Punëve të Jashtme, tani deputet i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli.

    Ai për këtë takim ka thënë se nuk ka pasur asnjë ecuri.

    Sipas tij, derisa Qeveria e Kosovës është deklaruar që çështja e dinarit nuk do të jetë pjesë e bisedimeve në dialog, atëherë s’është dashur të dërgohet guvernatori i Bankës Qendrore në një takim me politikanë.

    “Nuk ka pasur asnjë ecuri. Nëse merr qëndrimin se çështja e dinarit serb nuk do të diskutohet në dialog, siç ka thënë qeveria më parë, nuk dërgohet guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës në një takim me politikanë nga Bashkimi Evropian si ndërmjetës dhe nga Serbia. Çka ka ndodhur është ajo që zakonisht ndodh në Kosovë: hidhet pluhuri në sytë e njerëzve duke thënë se nuk ka dialog për dinarin dhe dërgohet dikush që nuk njihet nga as 1000 vetë në Kosovë për të kuptuar se kush është guvernatori dhe cili është roli i tij. Pra, një proces dramash që nuk sjell asnjë përfitim për vendin”, është shprehur Pacolli, për Front Online.

     

    Behgjet Pacolli: Aleatët po e humbin durimin me Kosovën

    Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka deklaruar për Front Online se çështja e dinarit nuk është dashur fare të jetë temë në dialog.

    Ai, thotë se për këtë temë është dashur të ketë koordinim me partnerët.

    Sipas Pacollit, në këtë drejtim vetëm Kosova është e humbur, pasi që aleatët po humbin durimin e tyre.

    “Jo, në asnjë rrethanë. Çfarë duhet të bëhej është koordinimi me partnerët tanë, të gjenin mënyra për të mos pasur efekte sociale tek popullsia e prekur dhe për të mos krijuar një krizë artificiale që përfundon në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kosova është vetëm e humbura këtu, ndërsa partnerët dhe aleatët tanë po humbin durimin, por ashtu siç shihet edhe ndikimin në Kosovë, gjë që flet për një fenomen të rrezikshëm për vendin dhe për të ardhmen”, ka thënë për Front Online ish-ministri Pacolli.

     

    Bisedimet në Bruksel për dinarin/ Ish-ministri i Jashtëm: Qeveria iku nga përgjegjësia

    Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli po thotë se në dialog duhet të shkohet vetëm në nivel politik, dhe jo të dërgohet një institucion i pavarur siç është BQK-ja në këtë rast.

    Ai, thotë se më këtë Qeveria ka ikur nga përgjegjësia dhe llogaridhënia.

    Madje, pohon se ky është vetëm mashtrim që po iu servohet qytetarëve të Kosovës.

    “Jo, siç e thashë, nëse shkon në dialog, duhet të shkojë në nivel politik, dhe jo një institucion i pavarur si BQK për të dërguar në një takim me nivelin politik serb për të diskutuar. Kjo është ikje nga përgjegjësia dhe llogaridhënia e atyre në qeveri që janë përgjegjës për dialogun, dhe është një mashtrim që i servohet qytetarëve të Kosovës se pretendohet se nuk ka dialog për dinarin, por në të vërtetë po dialogohet në fund me një kosto vetëm për Kosovën”, është shprehur Pacolli, për Front Online.

     

    Pacolli: Qeveria ka të drejtë në vendimin për dinarin, por gaboi në veprime

    Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli po e përkrah Kosovën në vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit, por se thotë se Qeveria ka bërë gabime në veprime.

    Sipas tij, është dashur koordinim dhe informim për partnerët e vendit.

    “Duhet dalluar dy gjëra: Në një për Kosovën ka të drejtë në vendimin që ka marrë, dhe këtu nuk ka çfarë të diskutohet. E dyta, qeveria ka bërë gabime në veprime. Nuk ka koordinuar as informuar partnerët e Kosovës për këtë vendim që po merr, që nuk kishte kushtuar asgjë, dhe në fund nuk ka treguar ndjeshmëri ndaj popullsisë serbe në Kosovë që është prekur nga ky vendim dhe shumë varen nga ndihmat financiare që marrin nga qeveria serbe”, është shprehur Pacolli për Front Online.

    Pacolli, deklaron se duhet të gjenden mënyra që të evitohen pasojat sociale dhe politike.

    “Duhet të gjenden mënyra për të evituar pasojat sociale dhe politike, siç u shkoi puna në Këshillin e Sigurimit, me pajtimin e partnerëve tanë. Papërgjegjshmëria dhe mungesa e ndjeshmërisë janë dy principet që po bëhen armiku i qeverisë së Kosovës në këtë proces”, ka thënë ai.

     

     

     

    Behgjet Pacolli: Çështja e dinarit lidhet me shmangien nga obligimi që Kurti ka marrë për ta dërguar Asociacionin në Kushtetuese

     

    Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli deklaron se lidhja e vetme me dinarin është krijimi i një krize dhe shmangia nga obligimi që Kryeministri Kurti ka marrë në tetor për të dërguar draft-statutin në Kushtetuese.

    “Lidhja e vetme është krijimi i një krize dhe shmangia nga obligimi që Kryeministri Kurti ka marrë në tetor për të dërguar draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është lidhja e vetme që mund të bëhet me këtë çështje”, ka thënë Pacolli, për Front Online.

    Dhe këtë Pacolli e sheh si strategji të gabuar të kryeministrit Kurti.

    “E shoh si strategji të gabuar sepse Kryeministri Kurti është bërë i parashikueshëm për partnerët tanë në veprimet e tij politike për të shmangur obligimet ndërkombëtare që i ka marrë dhe me bekimin e tij i është vendosur Kosovës për vitet e ardhshme”, ka pohuar ndër të tjera Pacolli.

     

    Pacolli: Kosova nuk duhet të dialogoj me Serbinë për dinarin, por me partnerët e saj

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha të mërkurën për REL se bisedimet në Bruksel për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, “duhet të vazhdojnë me urgjencë”.

    Por, ish ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, po thotë se me Serbinë nuk duhet të dialogohet për çështjen e dinarit.

    Sipas tij, Kosova për këtë temë duhet të ulet me partnerët amerikanë dhe evropianë.

    Përpos, kësaj Pacolli thotë se asgjë tjetër nuk i nevojitet Kosovës.

    “Kosova nuk duhet të dialogojë me Serbinë për këtë, por të ulet me partnerët amerikanë dhe evropianë për të pajtuar një plan që ofron siguri për partnerët tanë se qeveria ka mirëkuptim për ndeshmërinë e gjendjes dhe që ofron mundësi për të implementuar vendimin e BQK-së në një afat optimal. Çdo gjë tjetër nuk i nevojitet Kosovës, kështu e shoh unë”, ka thënë Pacolli për Front Online.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, tha se në takimin në Bruksel më 27 shkurt nuk është diskutuar për rregulloren që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, por se janë paraqitur disa modele teknike se si Serbia mund të vazhdojë financimin e serbëve në Kosovë nëpërmjet kanaleve ligjore dhe transparente./Front Online/

     

    Nga Rubrika
    Lajme14 Mars 2025
    Mark Rutte, sekretar i përgjithshëm i NATO-s, ka thënë se Kosova e Serbia duhet të bëjnë “kompromise të duhura” në dialogun e...
    Lajme14 Mars 2025
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti në Selinë Qendrore ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili. Gjatë takimit,...
    Lajme14 Mars 2025
    Sot, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani dhe shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, nënshkruan Procedurat e Përbashkëta Operative të rishikuara ndërmjet...
    Të tjera
    Sport14 Mars 2025
    Federata e Futbollit ka prezantuar fanellat e reja që Shqiponjat do të veshin në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror FIFA 2026. Lojtarët...
    Bota/Rajoni14 Mars 2025
    Komisionerja për zgjerim në Bashkimin Evropian ka dhënë një mesazh nga Elbasani, ku ndër të tjera tha se Shqipëria ka ecur me...
    Lajme14 Mars 2025
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me Sekretarin e ri të Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanovic, për...
    Lajme14 Mars 2025
    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në...
    Bota/Rajoni14 Mars 2025
    Studentët në bllokadë kanë njoftuar se protesta e nesërme në Beograd do të fillojë në orën 16:00 para Kuvendit të Serbisë. Ata...
    Lajme14 Mars 2025
    Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq, vazhdoi konsultimet e tij me autoritetet në mbarë Evropën Juglindore me...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.