Me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, presidenti Bajram Begaj i bën thirrje shoqërisë civile të angazhohet në mbikëqyrjen e procesit.
Në një takim që zhvilloi me përfaqësues nga Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), kreu i shtetit nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të një procesi të lirë, të drejtë dhe të ndershëm.
Duke iu referuar përvojës së vëzhguesve vendorë të KRIIK në proceset elektorale, presidenti theksoi: “Si President i Republikës dëshiroj dhe do të punoj që zgjedhjet të përmbushin të gjitha standardet që kërkon ligji. Kjo është detyrë e institucioneve që ngarkohen nga ligji me këtë përgjegjësi, e partive politike, por edhe juaja si shoqëri civile. Konsiderojeni Presidentin e Republikës në këtë përpjekje!”, tha ai./RTSh