Nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se nëse Vetëvendosje e ka për qëllim të bëjë Vjosa Osmanin presidente duhet të flasin me partitë se çka mund të japin.
“Nëse vërtet e kanë qëllim që ta bëjnë zonjën Osmani presidente sipas marrëveshjes është një shprehje e bukur në popull që thotë se “për me marrë të këndshmen duhet me dhënë të dhimbshmen”. Duhet me dhënë diçka. Qysh mundet me i marrë votat e një partie politike pa pasë kurrfarë marrëveshje. Nëse e kanë qëllim me e pasë Osmanin presidente – po e largojmë PDK-në, të kishin folur me LDK-n, të kishin folur me AAK-në apo me Listën Serbe dhe ndonjë parti politike se cila është mundësia e kombinimeve të mundshme që realisht me e pasë edhe Presidencës, Qeverinë dhe Kuvendin”.
Hamza ka thënë se do të jenë një opozitë e fortë dhe s’do të synojnë të imitojnë asnjë parti politike derisa e ushtrojnë këtë funksion.
“Ne e kemi origjinalitetin tonë. Do të jemi një opozitë aktive dhe që kritikon. E kemi bërë një përvojë edhe në opozitë dhe qeverisje. Do të jemi aktivë me kritika dhe alternativa tonë dhe këtë e kemi dëshmuar edhe mandatin e kaluar”.
Po ashtu, Hamza tha se për krijimin e institucioneve e kanë çelësin në dorë vetë fituesit e zgjedhjeve.