Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, po vazhdon të shijojë suksesin megaloman të këngës së saj më të fundit, “I’m good (Blue)”.
Bashkëpunimi me David Guettan e ka rikthyer artisten në majë të top listave britanike dhe amerikane, gjersa është nominuar edhe për çmimin “Grammy”, në kategorinë “Kënga më e mirë ritmike/elektronike”.
Javë më parë, 33-vjeçarja performoi edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve American Music Awards 2022.
Ajo u duk tejet tërheqëse në tapetin e kuq të eventit, e veshur me një fustan të kuq voluminoz i cili mori vëmendjen e të gjithëve.
Por mesa duket ky nuk ishte i vetmi fustan që artistja kishte në mendje për atë natë të rëndësishme, pasi e njëjta ka prezantuar së fundmi një tjetër veshje e cila ishte në diskutim.
Në dy fotografi të publikuara në rrjetin social Instagram, Rexha mund të shihet e veshur me një fustan të zi dhe të gjatë, me një shtresë të madhe me pupla te pjesa e kraharorit.
Në mbishkrimin e imazheve, interpretuesja e hitit “I’m a mess” u shpreh se ky fustan ishte i mrekullueshëm, por që nuk u bë kurrë për një tapet të kuq.