Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se vendimi i Kosovës për të hapur ambasadën në Jerusalem është për të ardhur keq.
Ai në një adresim për media ka theksuar se integrimi evropian është një angazhim strategjik i Kosovës.
“Pozicioni i BE-së është i qartë, të gjitha ambasadat e BE-së dhe vendet anëtare kanë ambasada në Tel Aviv në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB dhe vendimet e Këshillit Evropian dhe zgjidhja e problemit duhet të gjendet në negociatat e drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Palestinës “, tha Stano.
Sipas tij, kjo vlen edhe për Serbinë dhe njoftimin për hapjen e ambasadës së këtij vendi në Jerusalem.
Ai potencoi se qëllimi strategji i Kosovës dhe Serbisë është anëtarësimi në BE dhe se të dyja palët duhet të përmbushin kushtet e vendosura para tyre.
“Harmonizimi i politikës së jashtme është një nga ato kushte,” shtoi Stano, njofton Klan Kosova.