×
  • Lajme
  • Lajme

    BE insiston në rifillimin e dialogut, analistët kërkojnë qasje serioze nga qeveria e re

    FrontOnline
    21 Shkurt 2021

    Një javë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Bashkimi Evropian po shprehet këmbëngulës në rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Nga Brukseli thonë se qeveria dhe autoritetet e reja në vend duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për vazhdimin e takimeve të dialogut, në mënyrë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse. Ndërkohë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, vlerësojnë se pavarësisht deklaratave për dialogun, ekzekutivi i ri dhe kryeministri i ardhshëm duhet t’i qasen me prioritet dhe seriozitet kësaj teme, por edhe të fokusohen në reformat e brendshme.

    Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano në një përgjigje për KosovaPress thotë se presin gatishmëri për dialogun nga qeveria e re në Kosovë.

    “BE ishte shumë e qartë në deklaratën e përbashkët të lëshuar të hënën nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të jashtme Borrell si dhe Komisioneri Varhelyi, se ne po presim me padurim formimin e qeverisë së re dhe ndër të tjera gjithashtu presim që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive për vazhdimin e takimeve të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si dhe të shfrytëzojnë mundësinë që para tyre të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse” thotë ai.

    Pavarësisht deklaratave të Albin Kurtit se dialogu nuk do të jetë prioritet i qeverisë së tij, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike shprehet optimist se qeveria e re do t’i qaset me seriozitet dialogut me Serbinë.

    Fetahu; Qeveria e re duhet t’i qaset me seriozitetin më të madh dialogut

    “Pavarësisht deklaratave rreth dialogut, besoj dhe shpresoj që qeveria ta ketë seriozitetin e duhur për t’iu qasur çështjeve të rëndësishme të politikës së jashtme, ku konsiderohet edhe dialogu Kosovë-Serbi. Nëse vjen një kërkesë nga BE-ja, por qoftë edhe nga ShBA-ja, besoj që qeveria duhet t’i qaset me seriozitetin më të madh, normalisht duke i pasur parimet themelore të negociatave dhe strategjinë se deri ku dëshiron të arrijnë në këtë proces. Nuk do të ishte mirë të kemi ngërçe pa ndonjë arsye të madhe nëse nuk kemi ndonjë pengesë ose çështje që menjëherë i vihen në tavolinë Kosovës, e që ndoshta nuk përbënë ndonjë rrezik të madh për shtetësinë dhe shtetin e Kosovës. Do të duhej të kishte një qasje pro aktive dhe të tentohej të arrihet një marrëveshje finale”, thotë ai.

    Ndërsa, Demush Shasha nga instituti “Epik” thotë për KosovaPress se kryeministri i ardhshëm duhet të pajtohet të bashkëjetojë gjatë qeverisjes së tij me realitetin që qytetarët nuk e konsiderojnë prioritet dialogun, por në anën tjetër ekzistojnë pritjet e ndërkombëtarëve për progres të tij.

    Sipas tij, Kurti duhet të gjejë një model që të ndjek reformat për të cilat ka marrë mandat, por njëkohësisht të fokusohet edhe në dialogun me Serbinë.

    Shasha: Kurti të ndjek reformat që ka marrë mandat, por njëkohësisht të fokusohet edhe në dialogun me Serbinë

    “Kryeministri Kurti tani duhet me i pajtua dy realitete që të bashkëjetojë në kuadër të qeverisjes së tij. Një realitet është ai ku dialogu nuk është prioritet i qytetarëve. Pra në asnjë sondazh të mundshëm, dialogu nuk del në top 5-6 prioritetet e para. Në anën tjetër është një realitet ku ekzistojnë pritjet e ndërkombëtarëve për progres në kuadër të dialogut me Serbinë. Tani këto dy gjëra nuk duhet parë si ekskluzive. Pra nuk duhet një qeveri të ndjek vetëm reformat e brendshme, apo të ndjek vetëm dialogun me Serbinë. Prandaj unë besoj që qeveria e ardhshme Kurti duhet të gjejë një model që është i mundshëm që do të ndjek reformat evropiane që ka marrë mandat, por njëkohësisht të fokusohet edhe në dialogun me Serbinë”, deklaron Shasha.

    Me të dalë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, kryeministri Kurti tha se dialogu nuk do të jetë ndër prioritetet kryesore të tij.

    Vitin e kaluar, përkundër një sërë takimesh në Bruksel dhe Uashington nuk u arrit marrëveshja finale me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Nga Rubrika
    Ekonomi15 Nëntor 2024
    Vendimi i qeverisë për të rritur pagat në sektorin publik nga janari i vitit 2025 ka shkaktuar pakënaqësi ndër qytetare, për siç...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Në kohën kur gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së është intensifikuar dukshëm, dëshmitarët po vazhdojnë dëshmitë e tyre para trupit gjykues....
    Lajme15 Nëntor 2024
    Kryeministri Albin Kurti, mbrëmë ka marrë pjesë në natën hapëse të festivalit të muzikës jazz “Prishtina Jazz Festival” që mbahet për çdo...
    Të tjera
    Lajme15 Nëntor 2024
    Personi që u gjet i vdekur në Prishtinë, është familjar i politikanit Adem Grabovci. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai,...
    Sport15 Nëntor 2024
    Kombëtarja e Kosovës sonte e zhvillon një ndeshje shumë të rëndësishme. “Dardanët” përballen me Rumaninë në Bukuresht, në përballjen për vendin e...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Nga e premtja e datës 15 Nëntor, Comodita Home sjell eventin më të madh botëror të zbritjes Black Friday, me oferta spektakolare...
    Kronika15 Nëntor 2024
    Zyrtarja e një banke në Mitrovicë, ka njoftuar se janë deponuar 100 euro para të falsifikuara. Në raportin e policisë është bërë...
    Kronika15 Nëntor 2024
    Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me një vdekjen e një burri në Prishtinë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë...
    Kronika15 Nëntor 2024
    Një përleshje mes tetë të miturve ka ndodhur në Malishevë, ky dyshohet se janë përdorur edhe armë zjarri. Policia ka bërë të...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.