Njëra prej ndeshjeve më interesante që u zhvillua sot në Superligën e Kosovës ishte mes Llapit dhe Trepçës ’89.
Në “Zahir Pajaziti”, Llapi mposhtu skuadrën mitrovicase me rezultat të ngushtë, 2:1, shkruan FrontOnline.
Pas ndeshjes, trajneri i Llapit, Tahir Batatina u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij.
“E kemi ditur që nuk e kemi lehtë kundër Trepcës ’89 duke e ditur faktin që kam pasur katër mungesa të lojtarëve titullarë dhe ta fitosh ndeshjen kundër 89-shit pa katër lojtarë nuk është e lehtë”, tha Batatina në “Art Sport”.
“Si trajner kam bërë ndryshime në skemë, por kam punuar gjatë tërë javës me këtë formacion që të përballemi kundër 89-shit. E kemi blinduar pozitën e pestë, kemi luajtur mençur. Ndeshjen e radhës do të udhëtojmë për rezultat të mirë kundër Ballkanit sepse jemi të kompletuar”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, trajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi është justifikuar për humbjen e sotme.
“Jena përgatit maksimalisht kundër Llapit, të them të drejtën pjesën e parë ke diçka krejt ndryshe, po na ndodhë shpesh”, u shpreh Idrizi.
“Në pjesën e dytë një pakujdesi apo një nervozizëm të lojtarët tonë dhe unë mendoj që kjo ndikoi tek humbja. Një sulmues tipik është duke na munguar, ne po dalim para portës po krijojmë raste të shumta”, tha ai./FrontOnline/