Bashkimi ka fituar ndeshjen e tretë finale të “Play-off” në Ligën e Femrave me rezultat 74:63 (20:25, 17:13, 23:12, 14:13), duke kaluar 2:1 në epërsi.
Skuadra që shënon tri fitore do të shpallet kampione e EBC Ligës së Femrave.
Takimi i katërt do të zhvillohet të hënën në Pejë. Nëse Bashkimi shënon fitore do të shpallet kampion, kurse nëse fiton Penza, do të zhvillohet edhe ndeshja e pestë.
Takimi në Prizren ishte interesant, ku çereku i parë ishte i baraspeshuar, por në fund shkëputet skuadra pejane që e fiton këtë pjesë 20:25.
Vashat prizrenase kundërpërgjigjen në periodën e dytë, që për një nuancë ishin më të mira, duke e fituar periodën e dytë, 17:13, për të shkuar në pushim me shifrat 37:38.
Dallimi i madh u bë në periodën e tretë, ku skuadra vendase dominoi totalisht në mbrojtje dhe në sulm, duke e fituar 23:12, ndërsa shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 60:50.
Vendaset arritën epërsinë më të lartë 74:57, kurse triumfuan në fund 74:63.
Te Bashkimi u dalluan Saranda Daci me 18 pikë e 14 kërcime dhe Aisha Balarabe me 18 pikë e 13 kërcime, ndërsa te Penza u dalluan Valbona Bytyqi me 16 pikë e 10 kërcime dhe Diedona Halitaj me 20 pikë.