Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kritikuar Qeverinë në Shqipëri në krye me Edi Ramën për mbështetjen ekonomike gjatë kohës së pandemisë, duke thënë se të njetët është dashur që të marrin shembull nga Kosova.
Basha në një intervistë në ABC News, që është transmetuar edhe në Televizionin T7 ka thënë se gjatë vizitës në Kosovës është njoftuar nga kryeministri i vendit, Avdullah Hotin për pakon ekonomike.
Ai thotë se e përgëzon këtë hap, e se Qeveria Hoti ka vendosur prioritete aty ku duhet, në ekonomi e shëndetësi.
“Z.Hoti e ka njoftuar këtë paketë, mbaj mend edhe gjatë vizitës time folëm si gjatë takimit, edhe në komunikimin publik për paketën për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve, unë e përgëzoj këtë hap, jam i bindur se kjo do të ndodhë, sepse qeveria kur i vendos prioritetet aty ku janë, në ekonomi e shëndetësi, atëherë gjërat do të ecin më pak keq, se sa qeveria të gjithë lekët e qytetarëve i qon aty ku nuk duhet”, thotë Basha, teksa përmend edhe raportin e fundit të FMN’së për shqiptarët.
“ FMN’ja thotë se shqiptarët do të humbin më shumë se të gjithë në rajon, ndërkohë në anën tjetër e kemi Serbinë që do të fitojë, sepse të gjitha qeveritë e rajonit në kohë pandemie po bëjnë këtë që ne po përkojmë që lekët e shqiptarëve të shkojnë të shqiptarët”, ka thënë ai.