Zgjedhjet e reja po shihen si domosdoshmëri pas zhvillimeve të fundit në vend që kanë ndodhur pas konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale për ish-udhëheqësit e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kështu thotë në një prononcim për FrontOnline, analisti politik Mazllum Baraliu.
“Zgjedhjet janë të domosdoshme dhe nëse nuk ka mundësi për ndonjë rikonfigurim ose marrëveshje për një qeveri të unitetit kombëtar ose të përbashkët të të gjitha subjekteve politike për shkak të inateve politike dhe ambicieve politike do të thosha patologjike jo reale, atëherë zgjedhjet janë domosdoshmërisht zgjidhja e vetme dhe e domosdoshme që do ta legjitimojë atë subjekt politik që i beson populli”, ka thënë Baraliu për Front Online.
E, për të dalur nga kjo situatë disa nga partitë politike po e shohin si mundësi riformatimin e Qeverisë e Lëvizja Vetëvendosje po kërkon zgjedhje të parakohshme, pasi që sipas tyre Qeveria aktuale është jolegjitime.
Por, për këtë shprehet skeptik analisti Baraliu.
Ai, thotë se kjo klasë politike qoftë pozita, qoftë opozita kanë dëshmuar që nuk mund të arrijnë një konsensus për të zgjidhur problemet.
“Ajo që është parë gjerë më tani jo vetëm në këtë situatë gjatë këtyre muajve por edhe ndryshimeve që janë bërë në mes dy qeverive për një kohë të shkurtë pas zgjedhjeve të fundit në nivel të përgjithshëm është dëshmuar që kjo klasë politike, këto parti politike dhe institucionet e vendit qoftë pozita qoftë opozita janë të paafta dhe jo vullnet mirë fatkeqësisht për të bërë një platformë, një marrëveshje një konsensus që është i domosdoshëm kurdoherë për qasjen e zgjidhjes së problemeve”, ka deklaruar Baraliu për Front Online.
I pyetur se cilat janë gjasat që pas këtyre zhvillimeve të arrihet një marrëveshje mes partive politike, Baraliu pohon se gjasat janë të pakta që partitë të merren vesh mes vete.
“Kjo gatishmëri, kjo aftësi nuk po ndodhë fatkeqësisht e klasës politike dhe oligarkisë nuk po ndodhë, pra mungon dhe meqë është kështu, asnjëherë nuk kanë arritur që të merren vesh dhe as tani nuk ka gjasa që të ketë një ri konfigurim, por edhe po të jetë rikonfigurimi ai do të jetë vetëm për interesa pushtetore dhe përfituese por edhe për ndonjë marrëveshje për qasje të përbashkët në zgjidhjen e problemeve”, është shprehur ai./Front Online/