Valencia ka shkarkuar trajnerin Ruben Baraja pas një fillimi të dobët të sezonit, që e ka lënë ekipin në zonën e rënies nga kategoria, ka njoftuar të hënën klubi i LaLiga.
Baraja, i cili më parë ka qenë lojtar i Valencia, e kishte marrë drejtimin e skuadrës në shkurt të vitit 2023 kur ekipi po luftonte për mbijetesë. Nën drejtimin e tij, Valencia kishte arritur të shpëtojë nga rënia dhe sezonin e kaluar e kishte mbyllur në vendin e nëntë. Megjithatë, forma e dobët nga fundi i sezonit të kaluar ka vazhduar edhe këtë vit.
“Dinamika e rezultateve gjatë këtij sezoni ka kërkuar një vendim që ka qenë shumë i vështirë për t’u marrë, por që synon ta përmbysë situatën dhe të arrijë rezultate më të mira”, thuhet në deklaratën e klubit.
Me vetëm dy fitore në shtatëmbëdhjetë ndeshje, aktualisht Valencia renditet në vendin e parafundit në LaLiga me dymbëdhjetë pikë, katër pikë larg zonës së sigurt, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Sfida e radhës për Valencian do të jetë në shtëpi kundër Real Madridit më 3 janar, një ndeshje e shtyrë për shkak të përmbytjeve në Spanjë./RTK