Para pak ditësh, ‘Pamfleti’ publikoi lajmin ekskluziv, se reailty-show ‘Big Brother Vip’ në Top Channel, do të zgjatej edhe me 3 muaj të tjerë.
Praktikisht, nga fillim-Janari, që ishte përcaktuar si fundi i formatit, do të shtyhej deri në Mars të vitit të ardhshëm.Kjo pasi produksioni i impresionuar nga shikueshmëria, që i kaloi të gjitha pritshmëritë, e bëri lakmues të fitimeve dhe audiencës, duke planifikuar zgjatjen e BBV.
Kujtojmë se fitimet nga reklamat arrijnë në mijëra euro për një pauzë prej 10 sekondash dhe ka një interes të paparë të bizneseve për t’u reklamuar në hapësirën e BBV.
Burime të afërta pranë ‘Top Channel’, na bëjnë me dije, se në kuadër të këtij plani që ndryshoi rrugës, produksioni ka pyetur një e nga një të gjithë banorët e shtëpisë së famshme, nëse pranojnë që formati të zgjatet deri në Mars, dhe jo Janar siç ata kishin firmosur në kontratë para se të hynin në shtëpinë më të vëzhguar në Shqipëri.
Mirëpo shumica e banorëve nuk kanë pranuar, duke thënë se kanë lënë jashtë punë e kontrata që i duhet t’i vazhdojnë në Janar pasi të dalin nga BBV. Ata janë shprehur se produksioni duhet t’i përmbahet kontratës që kanë nënshkruar para se të hynin dhe tani nuk pranojnë ndryshime të tjera.
Ilir Shaqiri, një nga konkurentët më të fortë, ka thënë se ka shumë angazhime në Itali, duke nisur nga bizneset e tij të shkollave të baletit, dhe e ka të pamundur qëndrimin deri në muajin Mars, e të njëjtin argument pamundësie kanë dhënë edhe banorët e tjerë.
Në këto kushte, produksionit nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të vazhdojë me planin A, atë të përfundimit të këtij formati plus-minus 10 Janarin e ardhshëm, me finalen e madhe. ‘Pamfleti’ mëson gjithashtu se gjysmë-finalja do të mbahet më datë 1 Janar, Live në ‘Top Channel’, në një natë të gjatë.