Mario Balotelli është gati për një rikthim në futbollin italian pas katër muajsh, si një futbollist i lirë për momentin.
Sipas ekspertit të transferimeve Fabrizio Romano, transferimi i 34-vjeçarit në Genoa deri në fund të sezonit është në fazën finale.
Ish-sulmuesi i AC Milan, duket se ka pranuar një ulje të pagës në krahasim me atë që merrte në Turqi.
Ai ka pasur biseda me trajnerin e Genoas, Alberto Gilardino, për t’u siguruar që gjithçka të shkojë siç duhet.
Raportet e fundit tregojnë se testet mjekësore do të kryhen të hënën, shkruan Goal.com, përcjell Klankosova.tv.
Pagat e Balotelli-t do të variojnë nga 400 mijë deri në 500 mijë euro, duke u lidhur me performancën e tij në fushë.
Kjo do të thotë se sa më mirë të luajë, aq më shumë do të fitojë. Kontrata e tij gjithashtu ka mundësi për anulim në përputhje me disa kushte.
Balotelli ka qenë pa ekip që nga qershori, kur u largua nga Adana Demirspor.
Ai nuk ka luajtur në Itali që nga sezoni 2020-21 me Monza, ndërsa periudha e tij e fundit në Serie A ishte me Brescia në sezonin 2019-20.
Gjatë kësaj kohe, ai kishte një eksperiencë njëvjeçare në Zvicër me Sion.