Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot në Kuvend se projektbuxheti i vitit 2025 është frymëzues për ekonominë shqiptare dhe mbi të gjitha, pasqyrim i qartë i zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, mbështetur mbi vizionin “Shqipëria 2030”.
“Ky nuk është viti i parë që buxhetet tona janë konsoliduar, janë buxhete të mirëstudiuara duke pas parasysh që tashmë nuk bëjmë më as projekte e as reforma elektorale, por projekte të ndërlidhura të mirëstudiuara sektoriale, të cilat praktikisht kanë për qëllim rritjen ekonomike të vendit, qëndrueshmërinë ekonomike të vendit”, deklaroi ajo.
Sipas saj, reformat kanë nisur të japin rezultatet e tyre, siç po japin, shtoi ajo, dhe projektet e mëdha të cilat realizohen vit pas viti.
“Viti 2023 është viti i parë i normalitetit ekonomik e financiar të vendit tonë pas tërmetit të 2019-ës, pandemisë dhe krizës energjetike të 2022-shit”, tha Balluku.