Deputetja e Parlamentit të Kosovës, Duda Balje, ka deklaruar se ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, nuk ka pasur nevojë ta përziejë fenë me politikë.
“Kur është në pyetje feja, ne jemi shumë sensitivë. Me atë deklaratë ka qenë pak më radikal, por e kemi kuptuar se ai ka përfunduar me mandatin dhe do të kthehet në Kosovë”.
“Mendoj që ai s’ka pasur nevojë për me e përkrahë ose te del ashtu si ka dalë, nuk është mirë me përzi fenë me politikë”, deklaroi ajo në Klan Kosova.
Ajo foli edhe në lidhje me partinë e saj të re, për të cilën tha se është shumë e kënaqur dhe se ka edhe prej shqiptarëve që duan t’i bashkohen.
“Jemi pjesë e Qeverisë, partia i ka gjashtë këshilltarë, kemi angazhuar njerëz nëpër qeveri e ministri, jemi duke punuar shumë seriozisht, jam shumë e kënaqur, njerëz në komunitetin boshnjak janë të interesuar se jemi diçka e re”.
“Shumë shqiptarë janë të interesuar për t’u bashkuar në subjektin tim. Ne jemi parti e boshnjakëve, por është mirë që dikush nga komuniteti shqiptar e ka parë që jemi të sinqertë dhe interesimi i tyre është shumë interesant për mua”.
“Jemi duke luftuar çdo ditë për pozitën e boshnjakëve, bashkëpunimi me të gjithë është shumë i mirë”.
“Komuniteti serb është në pozitë më të mirë se ne. Atyre kushtetuta i ka dhënë shumë më shumë fuqi dhe ne jemi gjithmonë sekondar dhe ata primar, por kjo qasje duhet të ndryshojë. Ne boshnjakët s’kemi shtet tjetër dhe jemi këtu dhe s’kemi bërë kurrë asgjë kundër shtetit dhe kemi merituar pozitë më të mirë se kushdo tjetër”.
Balje u shpreh se dëshiron që të hapë një zyrë ndërlidhëse në Sarajevë, duke e cilësuar këtë aktivitet si shumë të mirë, meqenëse siç tha, zyre të njëjta kanë edhe në Greqi e Beograd.
Ajo po ashtu e vlerësoi lartë kryeministrin e vendit, duke e cilësuar si njeri të butë, të qetë, por shumë serioz”.
“Për Bosnjën është shumë e vështirë ta njohë Kosovën si shtet i pavarur. Do të jetë gabim i madh nëse krijohet “Srpska”. Edhe Lajçak mund të flasë çka të dojë, por ne duhet të dimë që Lista Srpska është duke e bllokuar shumë Bosnjën dhe nëse ne nuk mësojmë prej gabimit të Bosnjës, atëherë ne jemi fajtor vetë”.
“Me Lajçakun kemi pasur takim dhe e kemi parë që serioziteti i tij nuk është shumë i madh. S’besoj që mund të bëjë mirë ai, si p.sh. nëse bazohemi te deklarata e tij për Kushtetutën, ishte shumë joserioze”.