Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se deri më tani janë bllokuar 560 mijë euro nëpër xhirollogari të ndryshme dhe janë konfiskuar 3 vetura, në lidhje me “avullimin” e 1.2 milion eurove nga Thesari i Shtetit.
Bajrami para deputetëve ka treguar se si shkon procedura për të ardhur deri te kryerja e një transaksionit.
“Çka ka ndodhur, ju e dini me datën 19 Thesari është njoftuar nga Ministria e Infrastrukturës se janë kryer disa transaksione, se kjo kompani nuk ka kontratë me ne dhe përmenden emrat se ata nuk janë zyrtarë të ministrisë. Ka hyrë në sistem ka krijuar usera dhe ka kryer procedurat. Ky person edhe në përshkrim të punës e ka pas për të krijuar qasje për zyrtarët. Tash për secilën organizatë buxhetore i ka një ose dy persona që kanë qasje në thesar. Ky person punon që 11 vite në Thesar. Tash ky ka hyrë tek sistemi e ka krijuar një llogari dhe ka bërë urdhërblerjen, ka kaluar tek tjetri e ka bërë edhe certifikimin dhe aprovimin. Kur ka ardhur tek certifikimi e ka përdorur llogarinë e zyrtarit të Mistrisë së Infrastrukturës i cili që 9 muaj nuk punon në këtë ministri. E ka marrë fjalëkalimin e tij dhe e ka kryer. Për secilin person zyrtar që ka qasje në thesar e ka një certifikim. Kjo llogari ka qëndruar e hapur dhe nuk e dimë se si nuk i ka shkuar një email që paswordi i juaj po preket. Tek divizioni i pagesave gjithçka është dal në rregull. Ky person e ka keqpërdorur detyrën zyrtare”, tha ajo.
Bajrami tha se nuk dëshiron të shfajësohet sepse skandali ka ndodhur në Thesar, mirëpo tha se kanë marrë masa shtesë.
“Ne kemi marrë masa shtesë, po bëjmë kontrolle për secilin transaksion. Kjo nuk la mundur të ndodh më herët se për çdo fund të muajit përmes dokumenteve bëhet barazimi për buxhetin e secilës organizatë buxhetore. Ne kemi njoftuar të gjitha institucionet e rendit, AKI. Deri më tani 560 mijë euro nëpër xhirollogri të ndryshme, janë konfiskuar 3 vetura. Ky krim është plotësisht i gjurmueshëm”, tha ajo.
Bajrami tha se shpreson dhe beson që mjetet do të kthehen në buxhetin e shtetit.
Medije Musliu, zëvendësdrejtore e Thesarit të Shtetit, ka bërë të ditur se transaksionet për 2.1 milionë euro që janë transferuar në llogarinë e kompanisë “LDA Group” ka filluar në orën 11 e 44 dhe ka zgjatur deri në orën 12 e 48.
“E kemi dëgjuar dikush thotë 8 deri në 9 minuta. Janë nxjerrë raporte nga sistemet elektronike. Transaksionet kanë filluar rreth orës 11 e 44 ose 48 nuk e di saktë. Procesi i fundit ka ndodhur rreth orës 12 e 48. Krejt proceset janë kryer gjatë kësaj periudhe”, tha ajo.