Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti në intervistën e tij të fundit.
Ajo tha se mbrëmë i pari i vendit shfaqi hapur synimet e frikshme për të kapur drejtësinë në vend.
“Mbrëmë, Kurti shfaqi hapur apetitet e tij të frikshme për të kapur sistemin e drejtësisë dhe për të rrënuar rendin kushtetues të vendit”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
“Mos harroni, po bëhen katër vite që Kurti ka qenë kryeministër, me shumicë parlamentare në Kuvend, me qeveri pa koalicione dhe pa pasur asnjë pengesë, por sipas tij, drejtësia e ka penguar, prandaj atij nuk i mjafton të jetë kryeministër; ai po kërkon të bëhet mbret”.
“Me deklaratën e tij: ‘Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë’, Kurti ka sfiduar hapur Prokurorinë Speciale. Çfarë thotë një deklaratë e tillë për barazinë para ligjit? Çfarë mesazhi është ky për qytetarët e këtij vendi që respektojnë ligjet, rregullat dhe institucionet e drejtësisë?”
Sipas Bajramit, Kurti po e sulmon Gjykatën Kushtetuese dhe duke mos e njohur atë po tregon për ambiciet e tij për të ndryshuar rendin kushtetues.
“Sulmet e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese, mosnjohja dhe kundërshtimin i vendimeve të saj, janë një tregues tjetër i ambicieve të tij për të ndryshuar rendin kushtetues në vend. Kurti asnjëherë nuk përmend se është vendimi i po kësaj Gjykate që çoi te zgjedhjet e parakohshme dhe e solli atë në pushtet, në vitin 2021”.
“E mbi të gjitha, ëndrra e tij për t’u bërë një ditë Kryeprokuror qartë tregon se nuk e ka për t’i shërbyer drejtësisë, por për t’i mbrojtur miqtë e tij të zënë në flagrancë – ata që po pasurohen në kurriz të qytetarëve. Korrupsion ky, tashmë i dokumentuar me fakte”.