Ish-ministrja e Financave Hykmete Bajrami është deklaruar në lidhje me vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se vjedhja e Thesarit shënon rastin e parë në Kosovë dhe se dy persona të dyshuar janë në burg.
“Të gjitha mjetet financiare janë gjurmuar, shumica prej tyre janë të bllokuara dhe sapo të kryhet procesi gjyqësor ato mjete do të kthehen në buxhet. Organet e drejtësisë nuk do të dështojnë në këtë rast sepse çdo gjë dihet. Besoj që Prokuroria të dalë sa më shpejt me sqarime shtesë dhe informacione më të detajuara rreth këtij rasti”, shkruan Bajrami, e cila është liruar sot nga pozita e ministres së Financave, me kërkesë të saj për arsye personale.
Ndryshe, në tetor të vitit të kaluar, brenda disa orësh, janë zhdukur 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari i Shtetit. Dyshimet e para janë se vjedhja është kryer përmes sistemit elektronik për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin (SMFK). Në lidhje me rastin janë arrestuar dy persona.
Postimi i plotë:
Dy hajnat e 2.1 milionëshit janë në burg, gjithë përfituesit nën hetime
Vjedhja e Thesarit shënon rastin e parë në Kosovë ku gjithçka është duke u zbardhur. Dy persona janë në burg – zyrtari i MF i cili ka punuar në Thesar nga viti 2011 dhe pronari i kompanisë. Përfituesit tjerë janë nën hetime.
GJITHÇKA është e qartë dhe po zbardhet.
Rastin e kam denoncuar unë edhe sot kërkoj që të gjithë hajnat duhet të marrin dënime kapitale.
Të gjitha mjetet financiare janë gjurmuar, shumica prej tyre janë të bllokuara dhe sapo të kryhet procesi gjyqësor ato mjete do të kthehen në buxhet.
Organet e drejtësisë NUK do të dështojnë në këtë rast sepse çdo gjë DIHET. Besoj që Prokuroria të dalë sa më shpejtë me sqarime shtesë dhe informacione më të detajuara rreth këtij rasti.
Pra, unë e kam lajmëruar Policinë, AKI-në, Prokurorinë. Jam ballëhapur para Zotit dhe para secilit qytetar të Republikës.
Hajnat do t’i denoncoj në secilën pozitë që do të jem. Edhe si deputete do të jem zëri i gjithë atyre qytetarëve që më kanë votuar tash më shumë se në zgjedhjet e kaluara.