Kryetari i komunës së Mitrovicë, Agim Bahtiri, sot ka pritur në takim kryetarin e Klubit të Zhytjes “Trepça”, Liridon Ahmeti, së bashku me anëtarët e tjerë të këtij klubi.
Qëllimi i këtij takimi ishte ndarja e mirënjohjes dhe shprehja e falënderimit ndaj Klubit të Zhytjes “Trepça” për kontributin dhe punën profesionale e të palodhshme, që vazhdojnë të kryejnë ndër vite në të mirë të qytetit dhe të qytetarëve të Mitrovicës.
Me këtë rast, Bahtiri, është shprehur tejet mirënjohës ndaj të gjithë anëtarëve të këtij klubi për mbështetjen që kanë dhënë për komunën, si dhe gatishmërinë e tyre për t’i ndihmuar qytetarëve çdo herë kur ka pasur nevojë për intervenime urgjente, duke potencuar evakuimin e disa familjeve në lagjen “2 Korriku” dhe në fshatin Lisicë gjatë kohës kur u përfshinë nga vërshimet.
Po ashtu, ai ka përmendur edhe pastrimin e Liqenit Akumulues disa herë klubi në fjalë e ka mbështetur komunën në këtë drejtim, dhe pa hezitim kanë larguar tërësisht barishtet nga hapësirat ujore, si dhe ndihmën e dhënë shpesh herë në shpëtimin e jetëve të qytetarëve.
Ndërsa, Liridon Ahmeti nga Klubi i Zhytjes “Trepça”, e falënderoi kryetarin Bahtiri për mikpritjen dhe përkrahjen e tij dhe të komunës, ku theksoi se mirënjohja e ndarë sot nga Komuna e Mitrovicës do ti motivoj të gjithë zhytësit që edhe në të ardhmen të japin kontributin e tyre, e të jenë gjithmonë në gjendje gatishmërie në rastet e rrezikut.