Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka reaguar ndaj kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili reagoi pasi Mitrovica e Jugut u kthye në zonën e verdhë sa i përket masave të reja ndaj COVID-19.
Bahtiri e ka lutur Ahmetin që të merret me punët e komunës së tij, e sidomos me numrin e rasteve me COVID-19, që sipas tij, Prishtina është e ngulfatur me të infektuar.
“E lus kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, që të merret me punët e komunës së tij, sepse nuk i takon me u merr me komunën e Mitrovicës, pasi që mitrovicasit e kanë kryetarin e tyre që kujdeset për ta. Ai është mirë që të merret me komunën e tij, e cila është ngulfatur nga rastet me të infektuar me COVID-19. Kryeqyteti në rrethana normale duhet të jetë shembull për menaxhim të punëve komunale, por si duket kryetari Ahmeti ka tjera prioritete”, ka shkruar Bahtiri.
Ahmeti sot gjatë ditës ka reaguar pas kthimit të Mitrovicës në zonën e verdhë.
“Mitrovica e Jugut është në zonën e kuqe por pas takimit të kryetarit Bahtiri me Ministrin Zemaj janë dakorduar që edhe këtë javë të mbetet e verdhë sepse sipas Bahtirit “e kemi bind që nuk duhet të jemi në zonën e kuqe”. Dmth çështje negociatash dhe bindjesh”, ka shkruar Ahmeti.