Rrjeti i OJQ-ve AVONET shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e qeverisjes së Komunës së Prizrenit, ku në këtë komunë mungon efikasiteti, përgjegjshmëria dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve, po ashtu është një prej komunave që harton paramasa në kundërshtim me natyrën e punëve.
AVONET ka monitoruar dhe hulumtuar disa nga projektet e ndriçimit si projekti “Efiqienca e ndriçimit publik në Komunën e Prizrenit” me numër prokurimi 622-19-8744-2-1-1”, ku Komuna e Prizrenit nuk ka respektuar kriteret e dosjes së ofertave dhe po ashtu gjatë analizës dhe hulumtimit të dosjes së tenderit është hasur në disa parregullsi, si paramasa e projektit dhe hartimi i paramasës së tenderit, ku sipas hulumtimeve të AVONET-it ky tender nuk ka projekt ekzistues dhe kjo rrit dyshimet për keqpërdorim të ekzistimin e kësaj kontrate.
Gjatë hulumtimit AVONET ka identifikuar se ka ndryshim të paramasës së iniciuesit dhe atë të zyrës së prokurimit, po ashtu projekti është titulluar ndriçim efiçient, kurse në paramasë janë paraparë ndriçues me konsum të madh të energjisë elektrike. AVONET gjatë hulumtimit ka identifikuar që në zonën urbane janë larguar ndriçuesit me kapacitete 150 W, për arsyeje të kostos së lartë, ndërsa në paramasën e dosjes së tenderit është kërkuar të vendoset ndriçues deri në 240 W, vij pyetja se për çfarë efiqiencë bëhet fjalë?
Ndërsa Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës, ka nxjerr një të gjetur me çështjen B6- Mungesa e projektit ekzekutiv,gjetja e cila është: neni 20 pika 10 i Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik (UOPP) kërkon që ″Specifikat teknike për kontratën e punës, duhet të përfshijnë një projekt ekzekutues si pjesë substanciale të veten″. Ndërsa, pika 13 ″Autoriteti kontraktues është përgjegjës për hartimin e projektit ekzekutues dhe i cili në mënyrë mandatore duhet ti bashkëngjitet specifikave teknike të cilat janë pjesë e dosjes së tenderit″. Asnjë Autoriteti Kontraktues nuk i lejohet që të lëshojë dokumentacionin e tenderit pa bashkëngjitur përshkrimin e hollësishëm të projektit.
Në kontratën “Punimi i kabineteve në nën kulmin e shkollës fillore në Mushnikovë të Prizrenit” në vlerë prej 107,945€, komuna nuk e kishte hartuar projektin ekzekutiv, por kishte iniciuar procedurat e prokurimit duke përgatitur vetëm paramasën dhe parallogarinë. Shkaqet e mos hartimit të projektit ishin neglizhenca e zyrtarëve përkatës dhe fakti që procedurat e prokurimit të mos vonohen.
Zhvillimi i procedurave të prokurimit pa projekt ekzekutiv, rrisin rrezikun e realizimit të punëve pa kritere standarde të ndërtimit, vonesa në realizimin e tyre dhe të mos arrihet cilësia e duhur.
AVONET, kërkon që Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore e Prizrenit të fillojnë hetimet ndaj të gjeturave të AVONET dhe të Raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.