Avokati Tomë Gashi, është liruar nga akuza për ‘‘shkelje e fshehtësisë së procedurës’’ gjatë gjykimit të Azem Sylës.
Gjykatësi i rastit, Eroll Gashi, e liroi Tomë Gashin nga aktakuza me arsyetimin se në dispozitivin e aktakuzës është përmendur ora 10:45 dhe pas seancës dëgjimore i njëjti ishte deklaruar duke e treguar emrin e dëshmitarit, ndërsa sipas tij në proces verbal të asaj seance dëgjimore koha e fillimit të asaj seance ishte ora 15:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi ka thënë se palët kanë të drejtë ankese.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 16 mars 2018, nga prokurori Blerim Igrishta, avokati Gashi më 29 prill të vitit 2016, rreth orës 10:54, pasi që paraprakisht kishte përfunduar seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e ku në procesverbal ishte informuar nga gjykatësi i rastit se seanca është e mbyllur dhe se duhet të ruhej si konfidencialitet ajo çfarë flitej aty, i njëjti me të dal nga seanca, pa autorizim ishte zbuluar të dhënat për identitetin e personit të mbrojtur në procedurë penale duke iu drejtuar mjeteve me deklarata dhe duke përmendur emrin e tij në mënyrë publike.