Gjykata Speciale ka nisur një aksion arrestimesh mëngjesin e sotëm, i cili ka rezultuar me tre të arrestuar: Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-kreu i AKI-së, Bashkim Smakaj dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu.
E për këtë të fundit avokati i autorizuar në rastin e Fadil Fazliut, Skënder Musa ka dhënë detaje të reja për “Front Online”.
Musa ka treguar se ka qenë në zyrat e EULEX-it me autorizim për të marrë informacion lidhur me çështjen e Fazliut.
“Kam qenë në zyrat e EULEX me autorizim në rastin e Fadil Fazliut. Më kanë informuar që është në proces çështja e tij”, ka thënë avokati Musa.
Ai ka sqaruar gjithashtu detaje rreth arrestimit të Fazliut, duke thënë se sipas informacioneve të familjes së tij, ai është arrestuar para dyerve të banesës.
“Në bazë të informacioneve të familjes së tij, Fadili është arrestuar para dyerve të banesës”, ka shtuar avokati.
Musa ka bërë të ditur gjithashtu se Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se bastisjet dhe arrestimet janë kryer me urdhër të Gjykatës.
“Dhomat e specializuara kanë njoftuar që arrestimet dhe bastisjet kanë ndodhur nën urdhërin e Gjykatës”. ka deklaruar ai për “Front Online”.
Avokati Musa ka theksuar se informacionet e tjera rreth procesit janë të kufizuara, pasi nuk i është lejuar të ketë kontakt të drejtpërdrejt me klientin e tij.
“S’kemi informacione të tjera, pasi nuk na ka lejuar me kontaktuar. Autorizimin e kam dërguar, tash presim për informim rreth kësaj çështje, sepse gjithçka varet nga koordinimi me prokurorin”, ka përfunduar ai.