Teki Bokshi, avokat i licencuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, komentoi seancën paraprake të ish Kreut të Kuvendit, Jakup Krasniqit në Hagë.
Ai tha se seanca e zhvilluar ditën e sotme për traditat gjyqësore në Kosovë është diçka tërësisht jashtë normave.
“Këtu është duke u zhvilluar një procedurë për krime të luftës kundër njerëzimit mirëpo në anën tjetër procedura nuk po zhvillohet njësoj si te ne, sepse kur ngrihet aktakuza praktikisht fillon shqyrtimi kryesor, kur aktakuza konfirmohet sipas dispozitave kosovare, ndërkohë që atje është një procedurë krejtësisht tjetër,” – tha avokati teksa theksoi se edhe pas konfirmimeve të aktakuzave në Kosovë janë bërë bastisje të shtëpive të të akuzuarve.
Sipas avokatit do të jetë e vështirë që të vërtetohen pretendimet e aktakuzës.
Sa i përket aktakuzës se përveç krimeve ndaj grupeve etnike janë kryer krime edhe ndaj katolikëve Teki Bokshi e konsideroi këtë një absurd dhe një mosnjohje absolute të rrethanave në Kosovë.
Së fundmi avokati Bokshi theksoi se në qëndrimin e tij bastisja e shtëpive të të akuzuarve pas konfirmimit të aktakuzës është krejtësisht e paqëndrueshme e sipas tij në 40 vite karrierë kjo është diçka e pazakontë që nuk ka ndodhur kurrë.