Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova është arrestuar sot dhe është dërguar në mbajtje nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Ndërsa, avokati i Rugovës, Besnik Berisha për portalin e tij, Sinjali, deklaroi se shoqërimi dhe ndalimi në polici i Rugovës është tërësisht i kundërligjshëm.
“Po, është e vërtetë se pasdite në polici është shoqëruar zoti Rugova, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë, për të sqaruar nënshkrimin e kontratave nga ish- nënkryetari Lulzim Blakaj. Nga ajo që kam perceptuar gjatë intervistimit dhe provat e ofruara nga hetuesit policorë, jam absolutisht i bindur se zoti Rugova nuk ka bërë asnjë krim, përkundrazi ka respektuar në përpikëri ligjet për vetëqeverisje lokale, statutin e Komunës dhe ligjet e tjera në fuqi”, tha Berisha.