Babai i të ndjerit Albert Krasniqi, Skender Krasniqi sot ka dal para Gjykatës Themelore në Prishtinë në gjendje shumë të rëndë emocionale.
Avokati i tij, Ramiz Krasniqi në një prononcim për Telegrafin tha se gjendja emocionale e tij ishte shumë e rëndë, sa që sipas tij Krasniqi as të dhënat e tij personale nuk mundi t’i jap.
Sipas avokatit Krasniqi, kjo është një vrasje aksidentale, mirëpo siç tha ai kërkesa e prokurorit e cila është ‘përcaktimi i paraburgimit’ nuk do të kundërshtohet nga pala mbrojtëse.
“Është kërkesa e prokurorit për caktim të paraburgimit që ne nuk e kemi kundërshtuar dhe presim vendimin e gjykatës. Keq ishte shumë, as shënimet personale nuk mundi ti jap. Është vrasje aksidentale”, ka thënë avokati Krasniqi.
Ndryshe, vrasja ka ndodhur të mërkurën në rrugën “Ndue Perlleshi”, ku babai dyshohet se ka vrarë djalin e tij, i cili është biznesmeni i njohur Albert Krasniqi.
Nga Prokuroria kanë bërë të ditur se rasti është cilësuar si vrasje e rëndë.
“Prokurori kujdestar i Departamentit te Krimeve te Renda, ka dalë në vendin e ngjarjes. Rasti është cilësuar ‘Vrasje e rendë’. Prokurori i Shtetit, ka ndaluar një të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Në bashkëpunim me Policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për zbulimin e rrethanave të kësaj ngjarje”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.