Avokati i licencuar nga Gjykata Speciale, Taulant Hodaj ka folur për procedurat e kësaj gjykate që nga momenti i shpalljes së aktakuzës e deri te momenti i paraqitjes para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Duke folur për kalimin e afatit ligjor lidhur me aktakuzën e mundshme ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Hodaj ka thënë se publikimi i aktakuzës nuk duhet të zgjatet me shumë se një muaj.
“Afati optimal pas konfirmimit aktakuzës për paraqitjes para gjyqtarit të procedurës paraprake duhet të jetë sa më shpejt. Pra duhet që në afat sa më të shpejt të bëhet paraqitja e parë e të pandehurit para gjyqtarit të procedurës paraprake. Kjo kohë nuk duhet të jetë shumë e vonshme, por nuk duhet të jetë shumë e gjatë, është keqpërdorim nëse merr më shumë se një muaj”, ka thënë Hodaj.
Mirëpo, sipas tij, Gjykata Speciale nuk ka ndonjë afat të përcaktuar se kur bëhet paraqitja e të pandehurit në Gjykatë nga momenti i shpalljes së aktakuzës.
“Nuk është mirë të zgjatet afati, pasi kjo lë shije të keqe. Duhet të jetë e shpejt procedura dhe mënyra se si do të ftohet një i pandehur në Gjykatë”, ka thënë avokati në Rtk.
Sipas tij, janë dy mënyrë se si një i pandehur dërgohet në Gjykatë që të paraqitet para gjyqtarit të procedurës paraprake, ose arrestohet ose merr urdhër për paraqitje.
“Nëse ka urdhër paraqitje duhet të jetë 7 ditë, nëse ka urdhër për arrestim atëherë ndodh brenda tri ditësh”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se publikimi i aktakuzës nuk mund të zgjatet me shumë se një muaj.
Hodaj është shprehur i bindur se tashmë aktakuzat janë shpallur, por nuk janë bërë publike.
Ndaj presidentit Thaçi dhe Veselit, afati për shpalljen ose jo të aktakuzës ka kaluar më 24 tetor, mirëpo deri më tash Gjykata Speciale nuk e ka bërë të ditur atë.