Oda e Avokatëve të Kosovës ka marrë vendim që nga data 8 shkurt me fillim në ora 08:00 të bojkotojë Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Kjo, për shkak që Oda e Avokatëve të Kosovës po vlerëson se avokatët po trajtohen padinjitetshëm lidhur me çasjen në objektin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, shkruan FrontOnline.
Sipas Odës së Avokatëve obligohen të gjithë avokatët që të zbatojnë këtë vendim.
“Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës në mbledhjen e mbajtur me datë 03.02.2021, ka shqyrtuar ankesat e paraqitura nga avokatët, lidhur me trajtimin e tyre të pa-dinjitetshëm, për qasjen në objektin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, trajtim ky i cili ka filluar tashmë e disa muaj më parë, dhe ka marrë vendim që të bojkotohet Prokuroria Themelore në Prishtinë, nga të gjithë Avokatët e Republikës së Kosovës, për shkak të trajtimit të pa-dinjitetshëm të avokatëve, lidhur me qasjen në objektin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, thuhet në reagim./FrontOnline/