Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i ka kërkuar presidentes Osmani që të rikthejë ligjin e buxhetit për vitin 2025 në Kuvend për shqyrtim të tretë.
Sipas Hotit, miratimi i këtij ligji u bë me dy shkelje ligjore dhe si i tille presidentja duhet ta refuzoi.
“Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin e buxhetit për 2025: (1) me dy shkelje ligjore, (2) pa i adresuar nevojat kryesore dhe (3) pa i trajtuar dhjetëra kërkesa buxhetore. Sikur të funksiononte si duhet rendi kushtetues, Zyra e Presidencës do t’ia kthente Kuvendit këtë ligj për shqyrtim të tretë.
- Shkeljet ligjore lidhen me nenin 33, i cili e ndryshon ligjin e pagave duke e shtrembëruar strukturën hierarkike të pagave, si dhe me nenin 35 me të cilin ndryshohet ligji i tatimit në pronë. Të dyja këto raste mund të adresohen vetëm duke ndryshuar ligjet përkatëse.
- Mosadresimi i nevojave kryesore buxhetore lidhet me buxhetimin e pamjaftueshëm të: (i) pagave, pensioneve dhe skemave sociale për shkak të inflacionit; (ii) projekteve kapitale që kanë mbetur në gjysmë për katër vite; (iii) skemës së sigurimeve shëndetësore, arsimit dhe shëndetësisë në përgjithësi; (iv) kontratës kolektive, për të cilën komunat po paguajnë përmes vendimeve përmbarimore; (v) ushtrisë për të përmbushur planin e avancimit të dakorduar me aleatët etj.
- Në Komisionin për Buxhet kanë arritur dhjetëra kërkesa të organizatave buxhetore qendrore e lokale dhe nga deputetët. Përveç disa kërkesave të deputetëve të komuniteteve, të cilat janë miratuar pasi duket se ata deputetë e kanë kushtëzuar votën e tyre me miratimin e kërkesave të tyre, asnjë kërkesë tjetër nuk është miratuar. Mosmiratimi në veçanti i kërkesave të institucioneve të pavarura kushtetuese bie ndesh me parimin e pavarësisë kushtetuese të atyre institucioneve.Kurrë në historinë e shkurtër të shtetit të Kosovës nuk ka ndodhur të miratohet kështu buxheti pa asnjë konsideratë ndaj deputetëve dhe organizatave buxhetore.
E mira është se ky mandat katastrofal sa i përket performancës buxhetore po mbaron, dhe se qeveria e ardhshme duhet me prioritet ta ndryshojë këtë buxhet.
Buxheti prej 11.4 miliardë euro në këtë mandat qeverisës 2021-2024 është shpenzuar rreth 40% në subvencione. Dështimi kolosal është tek investimet kapitale, ku janë planifikuar 3 miliardë euro e janë shpenzuar vetëm 1.2 miliardë euro. Si rezultat, ekonomisë së Kosovës i mungojnë 1.8 miliardë euro.
Si rezultat i dështimit me buxhetin dhe mungesës totale të politikave fiskale, rritja ekonomike ka qenë më e ulëta në shumë vite. Rregullatorët ekonomik janë pasivizuar. Ka mungesë të dialogut me sektorin privat dhe sindikatat. Kushtet e të bërit biznes janë përkeqësuar. Është thelluar deficiti tregtar me rreth 2 miliard euro. Rreziqet fiskale nga ndërmarrjet publike mbesin të larta. Standardi i jetës është përkeqësuar pasi barra për buxhetin e familjeve është rënduar. Energjia është shtrenjtuar 117%. Nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri energjetik. Në arsim u përkeqësuan rezultatet në testin PISA.
Prandaj, është tepër e rëndësishme që në qeverinë e re fillimisht të kthehet ligjshmëria në shfrytëzimin e buxhetit, e mandej të planifikohet buxheti në përputhje me nevojat dhe prioritetet” shkruan Hoti në reagim.