×
  • Lajme
  • Lajme

    Avancimi i statustit të Kosovës në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

    FrontOnline
    24 Maj 2024

    Kosova do të jetë në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila do të mblidhet këtë fundjavë në Sofje të Bullgarisë.

    Me këtë rast, Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate.

    Në komunikatën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s thuhet se deputetët e saj, mes tjerash, “do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione të anëtarëve të asocuar”.

    “Sfidat e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor do të trajtohen, ashtu si edhe strategjitë për mbështetjen e partnerëve në rrezik dhe për rritjen e angazhimit me Jugun Global”, thuhet në komunikatë.

    Autoritetet e Kosovës bënë të ditur qysh në mars se Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në këtë trup.

    Në Serbi, Instituti Ndërkombëtar për Siguri u angazhua për ta penguar avancimin e Kosovës në këtë organizatë.

    Në një thirrje drejtuar saj, ai tha se konsideron se dhënia e statusit të anëtarit të asocuar Kuvendit të Kosovës, “do të ishte e dëmshme si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ashtu edhe për proceset e stabilizimit dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”.

    “Demokracia në Kosovë nuk është funksionale. Institucionet e saj janë të ngarkuara me një nivel jashtëzakonisht të lartë të korrupsionit dhe praktikave të tjera jodemokratike, ndërsa të drejtat e komuniteteve pakicë, veçanërisht ato serbe, nuk mbrohen”, pretendoi organizata me seli në Beograd.

    Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës – së voni edhe kundër anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.

    Organizata serbe tha, po ashtu, se nëntë anëtarët aktualë të asocuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s janë nga “vende të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht” dhe se “dhënia e të njëjtit status Kuvendit të Kosovës do të ishte një precedent i rrezikshëm”.

    Si funksionon Asambleja Parlamentare e NATO-s?
    Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

    Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

    Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

    Anëtarët e asocuar – çfarë synon të bëhet edhe Kosova – mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

    Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

    Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

    Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohej edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.

    Në takimin në Sofje, pjesëmarrësit do të priten nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të NATO-s dhe të shtetit bullgar.

    Ata do të diskutojnë tema që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë euroatlantike, me fokus në mbështetjen për Ukrainën dhe prioritetet e samitit të sivjetmë të NATO-s, i cili do të mbahet në korrik në Uashington.

    “Gjatë seancës, Asambleja pritet të përforcojë qëndrimin e saj të palëkundur për luftën e pajustifikuar, të paprovokuar dhe brutale të Rusisë kundër Ukrainës, të diskutojë ofrimin e ndihmave të menjëhershme dhe afatgjate për Ukrainën, si dhe të miratojë një deklaratë për mbështetjen e Ukrainës deri në fitoren e saj”, bëri të ditur Asambleja Parlamentare e NATO-s.

    Kosova dhe NATO-ja
    Pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO.

    “Anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e bazës së përhershme të forcave amerikane janë nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, ka thënë ministri i atëhershëm i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj.

    NATO-ja nuk e ka komentuar këtë kërkesë të Kosovës, por ka siguruar se misioni i saj paqeruajtës në vend, KFOR, “mundëson trajtimin e menjëhershëm të çdo zhvillimi që mund të ndikojë në situatën e sigurisë”.

    Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë qysh në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.

    Kosova kufizohet me tri shtete anëtare të NATO-s: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

    Në radhët e NATO-s janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia./REL/

    Apliko online për kredi në IBAS, përfito subvencionim nga Qeveria
    Nga Rubrika
    Lajme16 Qershor 2024
    Numri i përdoruesve të drogës në Kosovë kap shifrën 40 mijë, ndërsa rreth 10 mijë nga ta nga ekspertë e kësaj fushë...
    Lajme16 Qershor 2024
    Ish-kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur i pikëlluar për vdekjen e Sylë Tahirsylajt, ekspert i meteorologjisë. Ai thotë se Sylë Tahirsylaj, vjen nga...
    Lajme16 Qershor 2024
    Politikani shqiptar, ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se do të jetë në stadium duke bërë tifo për Serbinë...
    Të tjera
    Lajme16 Qershor 2024
    Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka uruar besimtarët musliman me rastin e festës së Kurban Bajramit. Përmes faqes zyrtare...
    Lajme16 Qershor 2024
    Deklarata përfundimtare nga samiti i Buergenstock pranë Lucernit në Zvicër, e cila u mbështet nga 80 vende, mbështeti integritetin territorial të Ukrainës...
    Bota/Rajoni16 Qershor 2024
    Një përleshje ka ngjarë në Gelsenkrichen, mes tifozëve anglezë dhe serbë. Gazetari, Arlind Sadiku thotë se sipas mediave angleze, në këtë përleshje...
    Vip16 Qershor 2024
    Albina Kelmendi sot ka ndarë momente nga festa e Bajramit në familjen e saj. Ajo e veshur me një fustan me motive...
    Bota/Rajoni16 Qershor 2024
    Personi i armatosur që plagosi një besimtar mysliman sot derisa po falej Kurabn Bajrami në xhaminë në Choisy-le-Roi të Francës është ende...
    Bota/Rajoni16 Qershor 2024
    Ushtria izraelite ka njoftuar se do të zbatojë një “pauzë taktike” në ofensivën e saj në Rripin jugor të Gazës për të...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.