Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës është duke monitoruar 20 artikuj ushqimor për rritje të çmimeve. Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm, në këtë institucion Selajdin Beqa.
Ai ka sqaruar se këta artikuj janë nga shporta bazike e konsumit, për të cilët do të monitorohen çmimet se si kanë ndryshuar.
Beqa ka përmendur ngritjen siç ka thënë ai rapid e të pakontrollueshëm të çmimeve vitin e kaluar, periudhë për të cilën tha se kanë evidencë dhe janë duke e monitoruar sidomos çmimin e vajit.
Ai pohon se në këtë rast dyshohet se ka pasur një marrëveshje ndërmjet përpunuesve, distributorëve dhe shitësve me pakicë, madje ka dyshime se ka pasur edhe kufizim të shitjes.
Për këtë çështje Autoriteti do të hartojnë në raport të veçantë se si ka ardhur deri të çmimet larta të vajit në atë kohë.
“Autoriteti i Konkurrencës momentalisht i ka nën hetim disa procedura hetimore si nga telekomunikacioni, dy procedura hetimore një është hapur më herët, dhe tash më së fundi është edhe një procedurë tjetër, dmth dy janë nga sektori i energjisë dhe një nga sektori mineralet. Sektorë tjerë që e kemi nën monitorim janë shporta e bazike, apo shporta e konsumatorit të cilat janë 20 produkte që i kemi nën monitorim dhe shumë shpejt do të dalim me një konkluzion edhe për çështjen në fjalë, vajin dmth”.
Beqa gjithashtu tha se në procedurë të hetimit 2 raste në sektorin e telekomunikimeve, një në energji dhe një rast në sektorin minerar, raporton EO.
Për këtë rast dhe të tjera Beqa tha se kanë bashkëpunim me Prokurorinë e Departamentin e Krimeve Ekonomike në Polici.
“Për këtë rast kemi bashkëpunim edhe me inspektorët e Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, po ashtu kemi kontaktuar edhe Departamentin e Krimeve Ekonomike, edhe Policia e Prokuroria janë interesuar, dhe është një rast i hapur. Sepse aty flitet që ka një marrëveshje mes përpunuesve, distributorëve dhe shitësve me pakicë, ka elemente që ka edhe kufizim të shitjes kjo e bënë çështjen edhe më të ndërlikuar atëherë. Do të bashkëpunojmë me Prokurorinë, Policinë dhe inspektorët e ATK-së dhe do të vijmë me një konkluzion për çështjen në fjalë”.