Kosova nuk po arrin të mbikëqyrë apo të monitorojë raste të mundshme me variantin britanik të koronavirusit.
Autoritetet shëndetësore në janar të këtij viti, kanë konfirmuar se varianti i ri është prezent në Kosovë.
Sali Ahmeti, infektolog në Klinikën Infektive të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), tha për Radion Evropa e Lirë se testime për rastet e tilla nuk po mund të bëhen në Kosovë.
“Nuk po kemi mundësi që këtu te ne të testojmë në mënyrë rutinore për variantet e reja. Por, mendoj se varianti i ri është në mesin tonë”, tha Ahmeti.
Në nëntor të vitit të kaluar, 19 mostra të dyshuara për rastet e reja ishin dërguar në Itali, por rezultatet kishin rezultuar negative.
Kurse më vonë, konkretisht në fund të muajit janar, Ministria në detyrë e Shëndetësisë pati njoftuar se nga 30 mostrat e dërguara për analizë në një laborator në Gjermani, tri nga to kanë rezultuar pozitive me variantin e ri britanik.
Që nga ajo kohë autoritet shëndetësore nuk kanë dhënë ndonjë njoftim për rastet tjera të mundshme.
Varianti i ri i virusit është krijuar si rezultat i ndryshimeve mutative, pra mutacioneve që pësojnë viruset.
Sipas ekspertëve, varianti i ri është më ngjitës sesa varianti fillestar i koronavirusit, që u shfaq për herë të parë në fund të 2019-ës në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se ky variant tashmë është përhapur në mbi 70 vende të botës.
Por, ky nuk është i vetmi variant i koronavirusit. Dy variante të reja janë zbuluar në Brazil dhe Afrikë të Jugut, po ashtu.
Infektologu Ahmeti tha se po të ishte e mundshme që raste e tilla të dyshuar të testohen, do të ishte në lehtësim për sistemim shëndetësor.
“Do të ishte mirë edhe për stafin shëndetësor të kemi një pasqyrë për variantin e ri të virusit. Por, mendoj se jo të gjitha shtetet kanë mundësi të bëjnë testim të tillë”, tha Ahmeti.
Ai shtoi se ajo që dihet tashmë për këtë lloj të virusit është se masat terapeutike nuk kanë ndryshuar, ashtu sikurse kujdesi që duhet të kenë njerëzit me masat mbrojtëse.
Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë një përgjigje nga drejtori i Institutit të Kosovës për Shëndetësi Publike, Naser Ramadani, lidhur me masat që janë duke i ndërmarrë për këtë çështje, po ashtu edhe nga Ministri Shëndetësisë në detyrë, Armend Zemaj, por ata nuk janë përgjigjur.
Nga ana tjetër, Hana Xhemajli, specialiste për hulumtime të pandemive, tha për Radion Evropa e Lirë se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Kosovës për Shëndetësi Publike do të duhej të merreshin më shumë me mundësinë e përhapjes së variantit të ri të koronavirusit.
Sipas saj, Kosova dhe banoret e saj, pa shkak të mosrespektimit të masave, janë të rrezikuar nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi dhe variantet e reja të tij.
“Ne i kemi hequr edhe pak rregulla që i kemi pasur duke u zbatuar. Shihet një apati po me duket, gjithëpërfshirëse, kur njerëzit nuk janë më duke u ruajtur shumë nga virusi”, tha Xhemajli.
Ajo tha se Instituti i Kosovës për Shëndetësi Publike dhe Ministria në detyrë e Shëndetësisë, duhet të jenë më transparente për të shpjeguar se çka po ndodh me rastet dhe variantin e ri të koronavirusit.
“E kam dëgjuar Institutin [IKSHPK] në të kaluarën duke shpjeguar se kanë dërguar disa mostra [jashtë vendit për testim] për këtë çështje. Do të doja që të ketë më shumë fokus nga institucionet rreth kësaj çështjeje, ndoshta zgjedhjet e kanë bërë të veten. Janë tri mutacione të ndryshme të viruseve që janë aktuale në botë, e ne ende nuk e kemi bërë pjesë as të diskutimit”, tha Xhemajli.
Që nga 13 marsi i vitit 2020 deri më 21 shkurt 2021, në Kosovë janë regjistruar 65.982 raste me koronavirus. Prej tyre 1,571 pacientë kanë vdekur.