Një burrë nga Sydney i Australisë mund të dënohet me burgim të përjetshëm pasi policia ia gjeti 552 kilogramë kokainë, sasi që do të shitej për 248 milionë dollarë.
Dërgesa me pako të dyshimta kishte ardhur nga Brazili dhe droga ishte fshehur në banane të shtypura e të ngrira. Mbi pako ishin të vendosura fotografi të koalave (kafshë të përhapura në Australi), shkruan The Guardian.
Forcat kufitare e arrestuan një burrë 68-vjeçar në Forestville pas informatave të pranuara nga autoritetet amerikane rreth dërgesës së dyshimtë, e cila kishte arritur në Australi muajin e kaluar.
I dyshuari Mark De Hesselle dyshohet se i transportoi 139 pako me tul bananesh. Policia i kontrolloi të gjitha pakot për ta gjetur tërë sasinë e drogës së shtrenjtë.
Ai është akuzuar për përpjekje të importimit të sasisë tregtare të drogave të kontrolluara dhe posedim të sasisë tregtare të drogave të importuara në mënyrë të paligjshme. Të dyja këto akuza bartin dënim maksimal me burgim të përjetshëm.
personi i dyshuar u paraqit të premten në gjykatë dhe po vazhdon të mbahet në paraburgim. Seanca e radhës në gjykatë është caktuar të mbahet më 16 dhjetor.