Aurela Gaçe mungoi në natën e nostalgjisë në “Festivalin e Këngës” – një natë kushtuar disa prej këngëve më të famshme në historinë e festivalit – gjë që habiti jo pak njerëz.
“Moj Aurela, prita deri tani që të të shikoja dhe dëgjoja ty në festival. Këngët e tua janë himne të Festivalit të Fundvitit! Aurela, pse ma bëre këtë,” shkroi Aulona Musta.
Në një përgjigje të mëvonshme në Instagram, Aurela ironizoi “Festivalin e Këngës”.
“Hmm, në siglat promovuese të Festivalit, asnjë video e këtyre këngëve nuk ishte. Paçka se Aulona thotë se këto këngë janë…pse asnjë prej këngëve, për 3 sekonda, nuk ishte pjesë e promos? Në fakt, ftesa ishte për të marrë pjesë. Fakti që nuk munda të jem në skenë, mbase bëri që të më fshijnë edhe nga videot promovuese.”
Më tej, shtoi:
“Më thanë që më duan, por në momentin që unë s’kam mundësi të shfaqem, prej angazhimeve sigurisht, ndodh të të fshihet dhe historia. Me shumë dashuri.”
Aurela Gaçe ka marrë pjesë disa herë në “Festivalin e Këngës” me hite si “Nata”, “Me jetën dashuruar”, “Fati ynë shpresë e marrëzi” (vendi i dytë), “E pafajshme jam”, “S’jam tribu”, “Jetoj”, “Kënga ime”; me këtë të fundit fitoi Festivalin e 49-të dhe përfaqësoi Shqipërinë në Eurosong 2011 (kënga u ndryshua në anglisht në “Feel the passion”).