Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se 883.6 milionë euro tatime janë të mbledhura deri më 30 nëntor të këtij viti.
Në komunikatën për media thuhet se kjo vlerë e të hyrave është tregues i fuqishëm i punës profesionale të stafit të Administratës Tatimore, e cila padyshim shtetit i garanton stabilitet financiar e ekonomik. Të hyrat e inkasuara për këtë periudhë janë hiç më pak se 90.7 milionë euro apo 11.4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Se ka performancë të jashtëzakonshme, këtë së fundmi e ka vlerësuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar-FMN, sipas të cilëve ATK-ja në 7 nga 8 indikatorët është më lartë se vendet në zhvillim, si dhe në 5 nga 8 indikatorët është mbi mesataren e vendeve të zhvilluara.
Sipas FMN, ATK ka bërë përparim të dukshëm në krijimin e një sistemi tatimor funksional, në ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe në forcimin e planifikimit strategjik, menaxhimin e rrezikut të përmbushjes dhe funksionet themelore të Administratës Tatimore. Mbledhja e të hyrave si në vlerë e po ashtu edhe si përqindje të BPV-së, tregon një trend të vazhdueshëm të rritjes.
“Menaxhmenti i lartë do të vazhdojë që të punojnë me përkushtim që ATK të jetë Administrata Tatimore e krahasueshme me Administratat udhëheqëse tatimore në Evropë”, thotë më tej komunikata.