Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundmi është pyetur direkt me “po ose jo” nëse e ka pranuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Në dokumentarin “Kosovo: The Making of a State”, ai tha: “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është diçka që unë e kam trashëguar nga paraardhësit e mi. Megjithatë kjo është pjesë e marrëveshjes bazike tash. Neni 7 thotë se komuniteti serb duhet të ketë vetmenaxhim. Në anën tjetër, neni 10 thotë se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë duhet të zbatohen, kështu që unë s’e mohoj këtë. Sidoqoftë vetëm si pjesë të pakos së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë”.
Tutje, Kurti shtoi se nuk mund të zgjidhet vetëm njëra prej 39 marrëveshjeve me Serbinë, siç tha ai, sikur të jetë tavolinë suedeze dhe as ta vendosni përpara marrëveshjes bazë.
Poashtu, shefi i qeverisë ka thënë se nuk është kryeministër vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për të gjithë, pra edhe për minoritetet.
“Ne kemi 93 për qind të popullsisë shqiptarë, por unë nuk jam kryeministër vetëm për shqiptarët. Ne kemi 4 për qind serbë dhe 3 për qind minoritete të tjera. Ata kanë ulëse në parlamentin tonë. Parlamenti ynë ka 120 ulëse – 10 prej tyre janë të rezervuara për serbët dhe 10 për minoritetet e tjera. Gjuha serbe është gjuhë zyrtare në të gjithë Kosovën”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.