
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Nivelin e Pagave në Kosovë” për vitin 2024.
Sipas ASK-së, në vitin 2024 pagat mesatare bruto në Kosove ishin 639 euro, derisa në vitin 2023 ishin 570 Euro. Pra, kishte një rritje prej 69 Eurosh nga viti paraprak, thuhet mes tjerash në publikimin e ASK-së, raporton Front Online.
“Paga neto, në vitin 2024 ishte 552 euro, krahasuar me vitin 2023 që ishte 506 euro. Pra, një rritje prej 46 Eurosh”.
Në anën tjetër, paga mesatare bruto në sektorin privat në Kosovë në vitin 2024 ishte 598 euro, derisa në vitin 2023 ishte 515 euro. Pra, kishte një rritje prej 83 eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto ishte 513 euro, krahasuar me vitin 2023 e cila ishte 459 euro. Pra, një rritje prej 54 Eurosh.
Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2020 ishte 624 euro, derisa, në vitin 2024 ishte 755 Euro, duke u rritur për 131 Euro, ose rreth 21 %. Ndërsa, paga mesatare neto nga 552 Euro, sa ishte në vitin 2020, u rrit në 668 Euro në vitin 2024. Një rritje prej 116 Eurosh, ose 21%.
Paga mesatare bruto në sektorin e ndërmarrjeve publike në vitin 2020 ishte 769 Euro, derisa në vitin 2024 ishte 783 Euro. Një rritje prej 14 eurosh ose 1.8%.
Ndërsa, paga mesatare neto nga 680 euro, sa ishte në vitin 2020, u rrit në 685 euro në vitin 2024. Një rritje prej 5 eurosh, ose 0.7%.
“Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte sektori i ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat”, thekson raporti i ASK-së.
Sektori i energjisë, pagat më të larta në Kosovë
Paga mesatare bruto në vitin 2024, sipas aktiviteteve ekonomike, më a larta ishte te: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (1105 Euro); dhe Informim dhe komunikimi (1090 Euro).
Derisa, paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim (389 Euro). Paga mesatare neto në vitin 2024, sipas aktiviteteve ekonomike, ka të njëjtën renditje si më poshtë: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (970 Euro); Informim dhe komunikim (935 Euro); Akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim (331 Euro).
Serbia dhe Bosna pagat më të larta, Kosova në “fund të pusit”
Në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto për vitin 2024, sipas INSTAT, arriti në 77.5 mijë lekë/ muaj ose rreth 770 euro. Në krahasim me një vit më parë, paga u rrit me 9.8% në vlerë nominale.
Ritmet e rritjes së pagave kanë qenë më të forta dy vitet e fundit, të ndikuara kryesisht nga pagat e administratës. Pavarësisht kësaj, rajoni ka ecur shumë më shpejt në rritjen e pagave.
Me përjashtim të Kosovës, pagat në Shqipëri mbeten rreth 30% më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit.
Paga më e lartë mesatare mujore bruto është në Serbi, me 1150 euro në muaj. Në Bosnjë-Hercegovinë, paga është gati 1100 euro. Në Malin e Zi paga është 1083 euro. Edhe Maqedonia e Veriut paguan mesatarisht punonjësit me më shumë se 1000 euro në muaj.