-->
×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Ashpërsohen qëndrimet evropiane ndaj Kinës

    FrontOnline
    05 Shtator 2020

    Një mosmarrëveshje e ashpër mes Kinës dhe Republikës Çeke kërcënon të ndikojë në marrëdhëniet midis Evropës dhe Pekinit. Një delegacion nga senati çek vizitoi këtë javë Tajvanin që Kina pretendon se është pjesë e territorit të saj.

    Kërcënimet me fjalë të forta nga Pekini kundër delegacionit kanë nxitur kritika nga udhëheqësit e BE-së. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, mosmarrëveshja vjen ndërsa BE-ja ka ashpërsuar gjuhën ndaj Kinës.

    “Unë jam tajvanez” janë fjalët e shqiptuara në çekisht dhe në gjuhën kineze në parlamentin e Tajvanit nga presidenti i senatit çek këtë javë. Delegacioni i tij u mirëprit ngrohtësisht nga presidentja e Tajvanit.

    “Veprimet tona u tregojnë miqve në Evropë dhe në të gjithë botën, qofshin tajvanezë apo çekë, se ne nuk do t’i nënshtrohemi shtypjes, do të flasim me guxim, do të marrim pjesë aktivisht në çështjet ndërkombëtare dhe do të kontribuojmë me aftësitë tona”, tha Presidentja Tsai Ing-wen.

    Pekini ka reaguar ndaj vizitës me furi.

    “Shpresojmë që pala çeke të njohë dëmin serioz të shkaktuar nga veprimet e presidentit të Senatit në marrëdhëniet kino-çeke. Veprimet e tyre nuk do të ndryshojnë aspak faktin se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e territorit kinez”, tha Hua Chunying, Zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze.

    Ndërsa ishte në Evropë këtë javë, diplomati i lartë i Kinës Wang Yi paralajmëroi se presidenti i senatit çek do të ‘paguante një çmim të rëndë.’

    Komentet e tij u dënuan në mbarë Evropën, vërejnë analistët.

    “Ne po shohim një qeveri kineze e cila është me më shumë forcë, nëse jo plotësisht agresive në qasjen e saj dhe që po ndryshon mendimet në Evropë”, thotë Steve Tsang, drejtor i SOAS China Institute në Universitetin e Londrës.

    Popullsia çeke është veçanërisht e ndjeshme ndaj kërcënimeve nga një fuqi e huaj, thotë analisti i Kinës, Filip Jirous.

    “Është një lloj pjese e historisë çeke që ishte gjithmonë një fuqi e huaj që diktonte disi atë që bëjmë ne. Padyshim, ishte Gjermania, ose ishte Rusia në të kaluarën, dhe tani keni Kinën”, thotë zoti Jirous.

    Presidenti kinez duke u mirëpritur në Pragë nga homologu i tij çek

    Marrëdhëniet nuk ishin gjithmonë të këqija. Në 2015, Republika Çeke mirëpriti Presidentin Kinez Xi Jinping në Pragë – me një premtim se vendi do të bëhej porta hyrëse për investimet kineze në Evropë.

    “Ana ekonomike e gjërave që u premtuan nuk erdhi kurrë dhe, në fund, unë do të thoja shumë njerëz nën nivelin e lartë të politikës ndiheshin të pakënaqur me atë që po ndodhte”, thotë zoti Jirous.

    Anketimet e opinionit tregojnë se publiku çek është zhvendosur kundër Kinës – nxitur nga një seri skandalesh – përfshirë pagesa sekrete të bëra nga qeveria kineze për stafin në Universitetin Charles të Pragës.

    Evropa gjithashtu po e forcon gjuhën e saj. Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell e përshkroi Kinën në një artikull të fundit në gazetë si një ‘perandori të re’ që po ‘dëmtonte normat ndërkombëtare’.

    “Ekziston një forcim i përgjithshëm i qëndrimeve brenda BE-së ndaj Kinës. Ky ngurtësim është kryesisht një përgjigje ndaj diplomacisë së tipit ‘ujku luftëtar’ të Kinës, qoftë për krizën e Covid-19 ose për shkak të ngjarjeve në Hong Kong, ose në Xinjiang (provincë kundër popullsisë Uighur), ose për Tibetin; ose kufijtë Sino-Indianë dhe Detin e Kinës Jugore”, thotë zoti Tsang.

    E përfshirë në një luftë të ashpër tregtare me Shtetet e Bashkuara, analistët thonë se Kina heziton të përkeqësojë marrëdhëniet me Evropën. Por pavarësia e Tajvanit prek nervat më të ndjeshëm në Pekin – dhe ende mund të ketë pasoja të tjera nga vizita e delegacionit çek. /VOA

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni31 Mars 2025
    Presidenti amerikan Donald Trump do të vizitojë Arabinë Saudite në mes të muajit maj, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që...
    Bota/Rajoni31 Mars 2025
    Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me vdekjen e 4 ushtarëve amerikanë gjatë stërvitjes në Lituani. Përmes një mesazhi në “X” Rama...
    Bota/Rajoni31 Mars 2025
    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur para pak minutash në lagjen nr. 4 të qytetit të Sarandës, ku një grua ka mbetur...
    Të tjera
    Vip31 Mars 2025
    Pritja mbaroi, tani të gjithë sytë në ekranin e Televizionit Kombëtar Vizion Plus. Nisi Ferma Vip 2, spektakli juaj, aty ku çdo...
    Lifestyle31 Mars 2025
    Pranvera sjell një bollëk ushqimesh të freskëta dhe të shëndetshme që përveçse freskojnë menunë, janë edhe burim i shumë lëndëve ushqyese të...
    Lajme31 Mars 2025
    Deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në konsultat për themelimin...
    Opinione31 Mars 2025
    Shkruan Piro Ahmetaj: Sigurisht e kam ndjekur me përgjegjësi të shtuar, dalldisjen e radhës së Presidentit Vuçiç, mbas nënshkrimit të marrëveshjes ushtarake...
    Lajme31 Mars 2025
    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas publikimit të bisedave të grupit të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në “Viber”....
    Vip31 Mars 2025
    Kur ndajnë edhe më pak se 2 orë nga nisja e spektaklit Ferma Vip 2, janë zbuluar disa sekrete të vogla se...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.