×
  • Lajme
  • Lajme

    As presioni i SHBA’së nuk ia “la shenjë” BE’së karshi çështjes së liberalizimit të vizave

    FrontOnline
    21 Nëntor 2020

    Raportuesja e BE’së për Kosovën, Viola Von Cramon, ka këputur sot shpresat e qytetarëve të Kosovës për çështjen e liberalizimit të vizave, duke thënë se mund të vihet në rend të ditës në takimet e mbetura të kryesuara nga Gjermania, por liberalizimi formal i vizave mund të vijë vetëm në presidencat e mëvonshme të Këshillit. E gjithë kjo, ndodhi edhe pas presionit të SHBA’së për lëvizjen lirshëm të qytetarëve të Kosovës.

    Besnik Gashi

    “Kjo mund të vihet në rendin e ditës gjithashtu edhe në takimet e mbetura të kryesuara nga Gjermania, megjithatë, në këtë moment ka më shumë të ngjarë që ‘drita e gjelbër’ përfundimtare do të vijë vetëm në presidencat e mëvonshme të Këshillit”, deklaroi ajo, duke lënë të kuptohet se çështja e Kosovës për lëvizje të lirë në zonën Shengen mund të shtyhet deri në vitin e ardhshëm, shkruan Gazeta Express.

    Shtyrja e vazhdueshme e çështjes së Kosovës nga instancat e larta europiane, më herët kishte nxitur reagimin e institucioneve e akterëve të ndryshëm politik në SHBA. Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, i bëri thirrje Këshillit të Bashkimit Evropian, që të përmbushë premtimin ndaj Kosovës, duke i siguruar liberalizimin e vizave.

    Komiteti, përmes një postimi në rrjetin social Twitter rikujtoi se vendimi i Komisionit Evropian për Kosovën, ku thuhej se janë plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, është marrë dy vjet më parë.

    “Tani kanë kaluar më shumë se 2 vjet që kur Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova plotësoi të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Këshilli Europian duhet të përmbush premtimin e saj për Kosovën dhe të liberalizojë vizat menjëherë”, thuhej në postim.

    Më herët edhe i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, i pati bërë thirrje BE-së të liberalizojë vizat ndaj qytetarëve të Kosovës.

    Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kishin konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash. Por, çështja ka ngecur në Këshillin e BE-së ku disa shtete të rëndësishme nuk janë pajtuar që të liberalizohen vizat për Kosovën.

    E krejt këtë situatë, njohësi i çështjeve politike, Fitim Salihu, e ka konsideruar të padrejtë, siç ka thënë ai, izolimin e Kosovës.

    “Vetë Borrelli e ka thënë që në janar të këtij viti se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Kjo është thënë që nga viti 2018 nga zyrtarët e Bashkimit Evropian. Pra, Kosova vazhdon të jetë e izoluar padrejtësisht. Nuk ka asnjë arsyetim bindës për këtë. BE-ja ka liberalizuar vizat me shtete si Moldavia, Ukraina ose Gjeorgjia të cilat kanë probleme më të mëdha se Kosova edhe sa i përket korrupsionit endemik edhe sa i përket moskontrollit të plotë të territorit të tyre. Madje, vizat janë liberalizuar edhe me shtete joevropiane që kanë probleme kritike me krimin dhe korrupsionin, siç është rasti me Meksikën ose shtetet e vogla të Amerikës Qendrore”, ka deklaruar ai.

    Analisti Salihu, e ka parë kësisoj si të panevojshme ndjekjen e agjendave politike të mëtutjeshme të unionit europian.

    “BE-ja, kësisoj, duke ia përplasur Kosovës derën hundëve, e ka humbur “karrotën” e atraktivitetit diplomatik dhe për rrjedhojë e ka humbur rolin bindës që e ka pasur në Prishtinë vis-a-vis procesit negociator me Beogradin. Në fakt, sot, Qeveria e Kosovës ka pak arsye ta ndjek agjendën e BE-së në këtë pikë, për sa kohë që BE-ja vazhdimisht na trajton si shtet dhe popull inferior”, ka vlerësuar më tutje ai.

    Një ndër shtetet që po ka insistuar, deri më tani, në idenë se Kosova nuk ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim vizash, është edhe Franca. Megjithatë, kryeministri i këtij vendi, përgjatë një video-konference me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, ka ofruar mbështetje për këtë çështje.

    “Kryeministri Hoti dhe Presidenti Macron, u dakorduan që ditëve në vijim, si pjesë e mekanizmave për verifikim, të zhvillohen takime në nivel të ekspertëve që do të pasoheshin me takimin në nivel politik midis ministrave të brendshëm të të dyja vendeve”, u deklarua në komunikatën e kryeministrisë.

    Mbetet të shihet nëse takimi mes dy krerëve do rezultojë pozitiv në çështjen e liberalizimit të vizave.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni15 Nëntor 2024
    Parlamenti Evropian ka zgjedhur sot eurodeputetin estonez Riho Terras në pozitën e raportuesit për Kosovën, shkruan “euronews.rs”. Terras që do të pasojë...
    Lajme15 Nëntor 2024
    “Demokracia në Veprim” në një konferencë për media ka bërë një vlerësim të periudhës së parafushatës, ndërhyrjeve të Qeverisë, shfrytëzimin e burimeve...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka quajtur “taktika” për destabilizim masat që Serbia në tetor i miratoi lidhur me Kosovën. Ajo...
    Të tjera
    Ekonomi15 Nëntor 2024
    Vendimi i qeverisë për të rritur pagat në sektorin publik nga janari i vitit 2025 ka shkaktuar pakënaqësi ndër qytetare, për siç...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Në kohën kur gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së është intensifikuar dukshëm, dëshmitarët po vazhdojnë dëshmitë e tyre para trupit gjykues....
    Bota/Rajoni15 Nëntor 2024
    Në 24 orët e fundit, Donald Trump ka shpallur disa zgjedhje të tjera për administratën e tij të re. Kush janë rekrutët...
    Bota/Rajoni15 Nëntor 2024
    Mëngjesin e sotëm, një tërmet i fortë ka goditur Turqinë. Mediat raportojnë se tërmeti ka qenë me agnitudë 5.1, ndërsa epiqendra ka...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Kryeministri Albin Kurti, mbrëmë ka marrë pjesë në natën hapëse të festivalit të muzikës jazz “Prishtina Jazz Festival” që mbahet për çdo...
    Kronika15 Nëntor 2024
    Një burrë në kryeqytet është ankuar në polici se ish e dashura e tij, i ka shkuar në shtëpi dhe pas një...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.