Edhe pse Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka deklaruar se simbolet e Kosovës në Kongresin e UEFA-s në Beograd nuk janë hequr, pas reagimit të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tashmë edhe Komiteti Olimpik i Kosovës nuk ka asnjë dyshim mbi këtë çështje.
KOK-u nuk ka dyshime se simbolet janë hequr dhe ka shprehur shqetësimin e tij për situatën.
Për këtë arsye, KOK ka kërkuar sqarime nga UEFA lidhur me vendimin dhe rrethanat që kanë çuar në këtë veprim.
Reagimi i plotë i Komitetit Olimpik të Kosovës:
Komiteti Olimpik i Kosovës shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për veprimin e papranueshëm të heqjes së flamurit të Republikës së Kosovës nga ambientet e Kongresit të UEFA-s, i cili u mbajt në Beograd të Serbisë.
Edhe më shqetësues dhe i turpshëm është fakti që flamuri i vendosur në mesin e flamujve të shteteve tjera përfundoi në duart e huliganëve, të cilët më pas e dogjën përpara ambienteve ku po mbahej Kongresi.
Ky akt përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj simboleve shtetërore të Kosovës, por edhe ndaj vlerave themelore të sportit: respektit, barazisë dhe përfshirjes.
KOK kërkon sqarime nga organizatori i Kongresit, në këtë rast UEFA, për heqjen dhe djegien e flamurit, e njëkohësisht kërkojmë marrjen e masave të mikpritësit të këtij Kongresi, i cili sipas pamjeve të publikuara edhe gjatë punimeve të Kongresit u përfshi në aktet e heqjes së flamurit.
Kosova dhe institucionet tona sportive janë anëtare të barabarta në të gjitha organizatat përkatëse ndërkombëtare dhe, si të tilla, duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt në çdo ngjarje sportive, pavarësisht se kush është vendi mikpritës.