
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka folur para mediave në prag të përballjes kundër Brighton-it në kuadër të Premier League.
“Topçinjtë” synojnë fitoren e tretë radhazi në kampionat, teksa të mërkurën mbrëma udhëtojnë drejt “Amex Stadium”.
Arsenali është i pamposhtur në 11 ndeshje si mysafir në të gjitha garat dhe vjen pas një fitoreje të ngushtë ndaj Chelsea FC, duke ruajtur epërsinë prej pesë pikësh në krye të tabelës.
Skuadra londineze gjithashtu ka barazuar rekordin për më shumë gola të shënuar nga këndoret në një sezon të vetëm në Premier League, me 16 realizime.
Arteta mbrojti taktikat e tij në situatat standarde, pas kritikave të fundit.
“Është pjesë e punës. Kam thënë se duam të shënojmë më shumë, por edhe pësojmë. Kjo është rruga jonë. Ka shumë faktorë në lojë – disa lidhen me ne, me nevojën për të qenë më të qartë dhe më të vendosur në disa veprime, por edhe kundërshtari ka rolin e tij,” u shpreh tekniku spanjoll.
Arsenali synon titullin e parë kampion në mbi dy dekada dhe çdo hap në javët e mbetura të sezonit konsiderohet vendimtar në garën e ngushtë për kreun./rtk