Policia e Kosovës ka arrestuar Ujkan Metajn, të cilin e shpalli në kërkim sot. Metajn ishte arratisur 12 ditë më parë nga burgu i Dubravës.
“Si rezultat i angazhimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, konkretisht të Drejtorisë Rajonale në Pejë, në kërkim të personit të dyshuar U.M, viti i lindjes1988 nё Istog, i cili ishte i kërkuar për vepren penale “Arratisja e personit tё privuar nga liria”, i njëti është arrestuar sot në orët e pasditës. Identifikimit dhe lokalizimit të tij i ka paraprirë ndërmarrja e masave aktive hetimore dhe operative, të cilat kanë rezultuar edhe me arrestimin e personit të dyshuar. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndermerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.
Metaj është arratisur nga Burgu i Dubravës, para gati dy javësh, ndersa sot Policia publikoi në faqen zyrtare fotografinë me shënime të tjera të tij dhe kërkoi nga kushdo që ka informacione për vendndodhjen e tij ta raportojë.
Gjykata Themelore në Pejë gjatë 2019 e kishte dënuar me pesë vjet burg, të akuzuarin Ujkan Metaj, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë se e kishte ndihmuar tani të ndjerin Kamer Metaj, për të kryer grabitjen e bankës në Istog, ku si pasojë e kësaj, ishte vrarë polici Izet Demaj. Apeli ia kishte shtuar edhe dy vjet, e që në plotëni ai për këtë rast u dënua me 7 vjet burgim.