Është arrestuar një person në fshatin Mushtisht të Suharekës, pasi dyshohet se bashkë me vëllain e tij kanë sulmuar shokun e tyre.
Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se motivet e këtij sulmi janë ende të panjohura.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se, së bashku me vëllain e tij, për motive deri më tani të panjohura kanë sulmuar me mjete të forta (dyshohet kondak arme) viktimën mashkull kosovar, shokun e tyre, me të cilin kishin qenë duke qëndruar në një kafiteri dhe dyshohet se vazhdimisht së bashku kishin konsumuar pije alkoolike”, thuhet në raport.
Bëhet e ditur se i sulmuari ka pësuar lëndime dhe është dërguar për tretman mjekësor.
“Viktima ka pësuar lëndime dhe është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është ende në arrati. Rasti në proces hetimor”, thuhet tutje në raport.