Sh.K, 54-vjeçar është arrestuar dje në Prishtinë për shkak se e ka ngacmuar një person si dhe e ka përcjellur duke i shkaktuar shqetësim.
Gazeta Express mëson se viktima është Shkëlzen Gashi, ish-këshilltari i Albin Kurtit.
Rasti ishte raportuar në Polici më 31 janar 2021, ndërsa arrestimi i të dyshuarit u bë dje rreth orës 20:00.
“Arrestimi i Sh. K, mashkull 54 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,ka ardhur si rezultat i një pune të shkëlqyer hetimore të cilën specialist për hetimin e krimit e kanë bërë në rastin e ngacmimit të denoncuar nga ankuesi më datë 31.01.2021.
Nga denoncimi i bërë në polici janë ngritur dyshimet se i dyshuari më datë 31.01.2021 rreth orës 09:00 ka ngacmuar ankuesin duke e përcjellë të njëjtin dhe duke i shkaktuar shqetësim me veprimet e tij”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Ndërkohë që janë analizuar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar ngjarjen, policia ka krijuar versionin e hetimit duke identifikuar, lokalizuar vendndodhjen si dhe arrestuar të dyshuarin.
Pas arrestimit me rekomandimin e prokurorit të shtetit të njëjtit i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për tu proceduar më tej pas kompletimit të veprimeve të nevojshme”, thuhet tutje në komunikatën e Policisë.