Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë të ditur se i ka arrestuar pesë kosovarë gjatë operacionit “Transit”.
Në një njoftim thuhet se kosovarët do të futnin në Shqipërisë, barna të dyshuara të kontrabanduara, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit kosovarë B. Z., 45 vjeç, F. Z., 34 vjeç, A. I., 23 vjeç, A. G., 20 vjeç, A. M., 21 vjeç.
“Nga kontrolli i ushtruar në 14 valixhe (bagazhet e të arrestuarve), janë konstatuar 1,057,840 tableta (barna) të dyshuara të kontrabanduara, me peshë 417.1 kg, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike”.
“Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit B. Z., shërbimet e policisë i gjetën 300,000 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi. Nga verifikimet e kryera dyshohet se 5 të arrestuarit do të futnin në Shqipëri dhe më pas në Kosovë, barna të blera në Jordani”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se medikamentet mjekësore, shuma 300,000 euro dhe gjashtë celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.