Instituti për Siguri dhe Resiliencë – PREVENT, thotë se përshëndetë veprimin e koordinuar të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Republikën e Kosovës për arrestimin e zyrtarit policor Bojan Jevtić, i dyshuar për përfshirje në veprimtari spiunazhi dhe rrjedhje të informatave të ndjeshme në bashkëpunim me shërbimet inteligjente serbe.
Në deklaratën e lëshuar, PREVENT shpreh vlerësimin për Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke theksuar profesionalizmin, bashkëpunimin dhe përkushtimin institucional në mbrojtje të rendit kushtetues dhe sigurisë kombëtare.
“Z. Jevtić, që ushtronte funksionin e zëvendëskomandantit dhe shefit të operativës në një njësi policore në veri të Kosovës, u arrestua në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, pas një periudhe të gjatë vëzhgimi dhe hetimesh të kujdesshme nga autoritetet e sigurisë. Ky arrestim nuk është një rast i izoluar, por rezultat i një pune të përkushtuar institucionale, që dëshmon për pjekurinë dhe profesionalizmin e shtetit të Kosovës në mbrojtje të rendit kushtetues dhe të sigurisë kombëtare.PREVENT thekson në mënyrë të veçantë rolin udhëheqës të Prokurorisë së Shtetit në këtë proces, hetimet e sakta të IPK-së, angazhimin serioz të Policisë së Kosovës dhe kontributin kyç të AKI-së në identifikimin dhe analizimin e informatave sensitive të karakterit inteligjent. Bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional në këtë rast tregon një shembull funksional të mbrojtjes së sovranitetit dhe stabilitetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e institutit PREVENT.
Sipas këtij Instituti, ky nuk është një rast i vetëm. “Vetëm gjatë vitit të fundit, autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për bashkëpunim me shërbimet inteligjente të Serbisë. Të gjithë këta persona dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me interesat e Republikës së Kosovës, duke tentuar të destabilizojnë institucionet dhe të minojnë sigurinë kombëtare”.
Tutje PREVENT apelon për rritjen e kontrollit të integritetit të zyrtarëve publikë, forcimin e kundërzbulimit dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në sektorët e ndjeshëm të shtetit, për të përballuar sfidat dhe kërcënimet hibride që mund të cenojnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë.